Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, zhvilloi sot një takim me anëtarë të Dhomës Amerikane të Tregtisë ku u diskutua disa nga problematikat e ngritura nga ky komunitet lidhur me konkurrencën, evazionin fiskal, si dhe rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Ibrahimaj theksoi se administrata tatimore e sheh si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin me biznesin, pasi, vuri në dukje ajo, na ndihmon për përmirësimin e punës sonë. “Fokusi ynë është ulja e informalitetit, të shmangë evazionin dhe të rrisë deklarimin vullnetar”, deklaroi Ibrahimaj.

Më tej, ajo informoi se në bashkëpunim me ministrinë e Financave dhe Ekonomisë po punohet për hartimin e një strategjie afatmesme 5-vjeçare. “Për këtë ne do të kërkojmë edhe konsultim me biznesin”, siguroi Ibrahimaj. Duke folur për luf tën kundër informalitetit, Ibrahimaj theksoi se gjatë këtij viti plani operacional do të kenë në fokus sektorin e ndërtimit, hidrokarbureve, bar restorantet. Një tjetër fokus është edhe tregu i punës, sa i takon deklarimit të pagave.

“Nxitja e përmbushjes vullnetare të detyrimeve tatimore është synimi kryesor yni dhe vijimësia e veprimeve që po ndërmerren kane per qellim më së pari që tatimpaguesi të njihet më mirë me kërkesat ligjore”, tha ajo. Ibrahimaj tha se gjatë vitit 2020 do të lehtësohet plotësimi i deklarimit të të ardhurave për individët. Ndërsa Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) Enio Jaço, kërkoi hartimin e politikave tatimore rajonale në mënyrë që vendi të jetë më atraktiv sa i takon thithjes së investimeve të huaja.

“Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për ligjet tatimore. Klima e investimeve është një çështje e rëndësishme. Prioritet për ne është thithja e investimeve të huaja. Shqipëria, duhet të hartojë politika konkurruese për investimet e huaja”, deklaroi Jaço. Kryetare e Komitetit të Taksave pranë Dhomës Amerikane të Tregtisë, Alketa Uruçi, është shprehur kundër vendosjes së fashave në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, pasi kjo shtyn tatimpaguesin të fshehë të ardhurat dhe të mos kryejë deklarim vullnetar.