Nga Endri Kajsiu/Shumëkush u habit dhe madje duartrokiti qëndrimet e djeshme të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Udhëheqësi i opozitës jashtëparlamentare kishte shprehur në media të gjithë mbështetjen e tij për mjekët dhe stafet që po përballen situatën e krijuar me Covid-19.
Po të injoroje me pakëz mundim faktin që, ashtu si dhe presidenti, Basha kishte dalë bashkë me task forcën e partisë së tij, ky ishte padyshim për t’u përshëndetur, i ngjashëm me atë të opozitave në vendet e tjera të botës, ku ky virus ka goditur edhe më rëndë.

Por nuk dihet çfarë ndodhi me Lulzim Bashën, që pirueta si kjo e dy ditëve të fundit, nuk i ka të paprecedenta. Ndoshta ka qenë presioni i atit të tij shpirtëror, i cili si një korb i vërtetë ndjellakeq e ka kthyer faqen e vet të Fejsbukut në një përrua të ndotur psikik të gjithfarësoj marrëzish. Ndoshta ka qenë këmbëngulja e Tritanit, i cili u pa dje në media tek përtypej fytyrëngrysur, kur dëgjonte kryetarin e partisë që fliste gjëra normale dhe racionale, ndryshe nga çfarë ka thënë kohët e fundit ish ministri i Shëndetësisë.
E sigurt është që Luli u kthye të bëjë Lulin.

Ndërkohë që Kryeministri dhe e gjithë qeveria janë të angazhuar në një luftë me armikun e padukshëm që është Covid-19, kryetari i Partisë Demokratike është i angazhuar duke sulmuar… qeverinë. Duke marrë mbi vete shpërthimin e zemërimit të qytetarëve që, shumë më racionalë se ai, e kanë kuptuar se kush është prioritet në këto momente, dhe në të njëjtën kohë, buzëqeshjen e Doktorit dhe Tritanit, që ia dolën ta rikthejnë Lulzim Bashën në çerdhen e korbave. Prej ku, u shfaqet si një mirazh pushteti sa herë që ky vend përballet me një krizë./Lexo.al