Deri mbrëmjen e së premtes në Shqipëri janë kryer mbi 700 testime dhe në qytetet ku janë konstatuar raste pozitive me COVID-19, është fokusuar puna për ndërprerjen e zinxhirit infektues.

Deklarata erdhi nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në emisionin “Java në RTSH”.

Duke iu përgjigjur interesit të analistit Lorenc Vangjeli, ministrja tha se sot në spitalin Infektiv janë 36 pacientë. Prej tyre, katër në kujdes intensiv, por jo në respiratorë.

“Fatkeqësisht numrat e rasteve po rriten çdo ditë. Është tepër e rëndësishme që të zbatohen masat. Pra kufizimet, distancimet dhe izolimi. Ky është një moment për të qenë më tepër vigjilentë. Sigurisht që situata paraqet vështirësitë e veta por ka një vëmendje të madhe nga ana jonë që të mos kemi mungesa në mjekësi” – tha Manastirliu.

Gjatë lidhjes LIVE me emisionin, ministrja zbuloi edhe detaje nga angazhimi në ‘armatën’ e Shëndetësisë.

E pyetur nga analisti Lorenc Vangjeli, nëse e konfirmon se disa biznese kanë paraqitur gatishmëri që ta ndihmojnë mjekësinë, Manastirliu e pohoi.

Ministrja tha se qeveria mirëpret çdo solidaritet dhe për fat të mirë kjo nuk po mungon.

“Po! Solidariteti ka qenë maksimal dhe këtu behët fjalë për të bashkuar forcat që të sigurohet jeta e shqiptarëve. Është momenti për të dhënë një dorë. Baza materiale është e rëndësishme, por edhe fuqia njerëzorë është akoma edhe më e rëndësishme. Detyra jonë e parë është mbrojtja e mjekëve dhe infermiereve. Janë 3 mijë të rinj që i janë bashkuar thirrjes tonë për ndihmë vullnetare. Falenderoj studentët e Mjekësisë që janë futur direkt në frontin e parë. Kanë nisur të shërbejnë fillimisht në linjën e gjelbër, por që janë të gatshëm të shërbejnë direkte në ‘front’. Ne po bëjmë të pamundurën t’u sigurojmë mbrojtjen e duhur” – tha Manastirliu në intervistën e saj për emisionin “Java në RTSH”.