Një efektiv i Policisë Rrugore të Tiranës, i cili është pjesë e postblloqeve në kuadër të masave të shtuara kundër përhapjes së koronavirusit, tregon rrethanat se si po punohet gjatë këtyre ditëve, kushtet dhe vështirësitë, me të cilat po përballen.

Por nga ana tjetër, ndryshe nga paralajmërimet për bllokim të makinës, patentës apo lejes së qarkullimit, ai tregon se deri tani po aplikohet gjobë me vlerën 4 mijë lekë të rinj, për ata që nuk kanë autorizimin përkatës nga Policia.

Sot është dita e dytë nga nisja e masave për bllokimin e qarkullimit të automjeteve. Si paraqitet situate, sa janë sensibilizuar drejtuesit e mjeteve?

Shumica e kanë marrë me shumë seriozitet dhe po i zbatojnë rregullat. Tirana është thuajse tërësisht e boshatisur. Nuk e kisha parë kurrë më parë këtë situatë. Është situatë shumë serioze dhe unë do ju bëja thirrje qytetarëve që ta vlerësojnë maksimalisht këtë situatë, për të mirën e tyre dhe të gjithëve ne. Megjithatë kemi ndeshur edhe raste të drejtuesve të pabindur.

Me sa prej tyre jeni përballur personalisht?

Sot për shembull kanë qenë 10 raste që nuk kanë pasur autorizim. Flas për paradite. Ka pasur lëvizje automjetesh, në raste të rralla sigurisht, por që kanë qenë të pajisur me leje, siç parashikohet në planin e masave, si kategori që justifikonin lëvizjen e tyre.

Çfarë mase është marrë për këta 10 drejtues mjetesh që thatë?

Siç ju thashë edhe më lart, është vendosur gjobë 40 mijë lekë, të vjetra.

Por sipas njoftimeve thuhet se mund të bllokohet mjeti dhe patenta deri në 3 vjet…

Kështu u diskutua fillimisht, por tashmë na kanë urdhëruar që të aplikojmë vetëm gjobën, siç ju thashë më lart.

Po pagesa e gjobës si kryhet?

Ashtu siç është kryer gjithmonë, në Postë.

Sa efektivë ka në përbërje postblloku?

Varet. Mund të ketë disa, policë rrugorë, rendi dhe nga Ushtria. Por ka dhe pika të lëvizshme, që monitorojnë rrugët.

Personat që keni konstatuar pa autorizim, që i keni gjobitur, çfarë justifikimi ju japin?

Përgjithësisht të gjithë e lidhin lëvizjen e tyre me spitalet, apo edhe udhëtime të domosdoshme drejt aeroportit. Megjithatë nuk e kanë të justifikuar me dokumentacion.

Ju jeni të pajisur me maska, me doreza, e mbani distancën nga drejtuesit e mjeteve?

Po, me të gjitha. Distancën sigurisht që e mbajmë, madje në rastet kur drejtuesit e mjeteve nuk janë të pajisur me doreza apo maska edhe dokumentet nuk i prekim ne, na i tregojnë ata vetë.

Sa parashikohet të zgjasë kjo situatë, ju kanë komunikuar ndonjë afat eprorët?

Fillimisht na thanë që mbaron të dielën, por ashtu siç paraqitet situate do të vazhdojë pa ndonjë afat të caktuar.