Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore ishte parashikuar të mblidhej sot ku në rend të ditës do të diskutohej për administratën zgjedhore dhe për sistemin zgjedhor. Por me kërkesë të PD-së, mbledhja e sotme është shtyrë për ditën e hënë, ora 10:00 me të njëjtin rend dite. Deri të hënën pritet që opozita jashtëparlamentare të sjellë dhe propozimet e saj për çështjen e administratës zgjedhore.
Gjatë një interviste televizive, bashkëdrejtuesja e Komisionit të Reformës Zgjedhore, Rudina Hajdari tha sot se “Opozita e bashkuar e ka anuluar takimin e ditës së sotme, duke e shtyrë për të hënën. Nuk është mirë që të shtyhen takimet, pasi 15 marsi është javën tjetër. Ishte ditë e rëndësishme, sidomos për mua, duke qenë se sot do të flitej për ndryshimin e sistemit, por mbrëmë në darkë vonë erdhi njoftimi se do të shtyhet takimi”. “Urojmë që të mos jetë bojkot, por ndihem e shqetësuar për këtë fakt sepse është hera e dytë që tema e ndryshimit të sistemit shtyhet. Duhet të kuptojmë që kjo reformë bëhet për shqiptarët, dhe ashtu siç kemi dëgjuar propozimet e opozitës dhe kemi qenë të hapur, edhe opozita duhet të ketë durim dhe të dëgjojë propozimin e opozitës në Parlament dhe shqetësimet e saj”, nënvizoi Hajdari.