Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në kuadër të masave shtesë për situatën e korona virusit në Shqipëri, tha se nga nesër mbyllen edhe konviktet deri më 3 prill.

“Duke qenë se nuk u sqarua vlen të thuhet se rregulli që vlen për shkollat, çerdhet dhe kopshtet, vlen edhe për konviktet. Ndaj u kërkoj sot drejtoreshave të konvikteve, që të komunikojnë sot që konvikteve nuk do të funksionojnë, por do të aplikojnë udhëzimin e qeverisë dhe urdhrin e bashkisë së Tiranës për të qenë zona të zbrazura deri më 3 prill. Për sa kohë që nuk ka universitet, nuk ka nevojë as për konvikte. E kaluam një situatë të tillë me tërmetin, është një dezha vu (déjà-vu) dhe do të duhet të themi për sa kohë që nuk ka universitet, nuk ka asnjë arsye që ne të vazhdojmë të jemi të grumbulluar në 400-450 veta ,sa kemi tipikisht në konviktet tona”, – tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij në mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit bashkiak, kryetari i bashkisë së Tiranës tha ndër të tjera se ditën e nesërme do takohet së bashku me të gjithë krerët e institucioneve fetare për të kërkuar një kufizim apo zgjidhje të riteve fetare.