Saktësisht kanë kaluar 27 vite nga debutimi i Francesco Totti me fanellën e Romës. Shumë arritje si lojtar, historia e bukur vazhdoi deri një vit më parë, kur si menaxher iu tha lamtumirë verdhekuqve. Roma e uroi Totti në rrjetet sociale për këtë përvjetor, sepse ai mbetet i njëjti “kapiten” si më 28 mars 1993.
Përmes një mesazhi në Instagram, legjenda verdhekuqe shkroi: “Kanë kaluar 27 vite dashuri, pasion dhe besnikëri. Kam qenë me fat që kam veshur fanellën e vetme, që vërtet e doja shumë… Një dashuri që nuk do të mbarojë kurrë”.
Tifozët i interpretuan ato fjalë si një rihapje ndaj Romës, veçanërisht nëse kalimi i pronësisë së klubit diku tjetër do të ndodhë pas emergjencës së “Coronavirus”. Nga ana e tyre, tifozët romanë e kanë kujtuar kështu debutimin e Totti: “Një histori e pafund, faleminderit Kapiten!”