Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me Projektin e USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore (PLGP), organizuan sot konferencën “Shpalosja e Potencialit: Analiza e Ndjeshmërisë Gjinore në Zinxhirin e Vlerës për të Zhvilluar Politika dhe Programe Ekonomike dhe Zhvillimore më të Mira”. Mbajtur në kuadër të aktiviteteve për Fuqizimin Ekonomik të Grave, Paqes dhe Sigurisë, ky forum i hapur ishte një platformë për zyrtarët e pushtetit vendor dhe qendror, ekspertët e çështjeve dhe ata nga komuniteti i donatorëve për të shkëmbyer përvojat e tyre dhe praktikat më të mira në fushën e zhvillimit të zinxhirit të vlerave në Shqipëri.
Të pranishëm në konferencë ishin Z. Bledi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Mikaela Meredith, Drejtore e USAID/Shqipëri, dhe Znj. Eglantina Gjermeni, Deputete, Kryetare e Aleancës së Grave Deputete.
Gjatw fjalës sw tij ministri Çuçi tha se gratë në Shqipëri përbëjnë afro 55% të forcave të punës në bujqësi, duke marrë një rol të rëndësishëm në këtë sektor. Sipas tij ka shifra në rritje të grave aplikuese dhe fituese të granteve në bujqësi, qoftë nga Skema Kombëtare, ashtue dhe nga Programi IPARD. “Shumë prej produkteve tradicionale shqiptare, ato që ne i quajmë “Produkte te Origjinës”, prodhohen kryesisht nga gratë. Në këtë kuadër e shoh shumë të rëndësishëm “Projektin për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore” (PLGP) dhe më konkretisht programin e “Zinxhirit të vlerës për prodhimin e jufkave” dhe “Zinxhiri i vlerës për bimët aromatike dhe mjekësore”, që absolutisht mbështesin fuqizimin ekonomik të grave në zinxhirin ekonomik të vlerave me bazë gjinore sipas bashkive përkatëse”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të fjalës së tij ai shtoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka marrë angazhimin e plotë për të përmirësuar standardet e kërkuara nga sektori, si dhe nevojat e trajnimeve profesionale të grave në disa sektorë të bujqësisë, si atë të prodhimit të fruta perimeve, agro-përpunimit, kultivimit të ullishtave, vreshtave, bimëve medicinale etj. “Me rëndësi në këtë proces është edhe ngritja e kapaciteteve të stafit të qeverisjes vendore, që është përgjegjës direkt për mbështetjen e grave në sipërmarrjet rurale. MBZHR si një partner i rëndësishëm i USAID ndër vite, mbështet këtë projekt i cili është një vlerë e shtuar në përpjekjen tonë të vazhdueshme për krijimin e vendeve të punës dhe forcimin e zinxhirit të vlerës përmes kontributit të gruas në sipërmarrjet bujqësore”, u shpreh ministri Çuçi.
Znj. Grania Mackie, eksperte ndërkombëtare për analizën e zinxhirit të vlerave me ndjeshmëri gjinore (GSVCA) prezantoi praktikat më të mira për identifikimin e mundësive për zhvillimin ekonomik dhe ndikimin e veçantë që GSVCA ka tek fuqizimi ekonomik i grave nëpërmjet shqyrtimit dhe vlerësimit të kontributit të tyre dhe rritjes ekonomike. Z. Erald Lamja, PLGP Ekspert i Zhvillimit Ekonomik Vendor dhe i Komunikimit, menaxher i komponentit GSVCA pranë projektit të USAID/PLGP, prezantoi një rast studimor nga puna e Projektit PLGP për GSVCA dhe si ndikon fuqizimi ekonomik i grave në përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre. Gjatë konferencës u prezantuan dhe dy dokumente të rëndësishme si Manuali për praktikuesit e analizave të zinxhirit të vlerave me ndjeshmëri gjinore dhe Dokumenti për përmirësimin e politikave në nivel qendror e vendor me synim fuqizimin ekonomik të grave dhe përmirësimin e zinxhirit të vlerave.