Konfirmohen dy raste të importuara me COVID-19 në Shqipëri.Gjendja e dy të prekurve babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione. Strukturat tona të urgjencës kombëtare dhe ISHP janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet. MSHMS përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku mjekët tanë do t’i përgjigjen çdo rasti.

Babë e bir, 54 vjeç dhe 28 vjeç kanë qëndruar ditë në Firence dhe kanë udhëtuar në rrugë tokësore nga Firence drejt Tiranës, nëpërmjet pikës së Hanit të Hotit, me makinë personale. Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të urgjencës kombëtare në nr.127 i janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmjen e sotme nga laboratori i virologjisë në IShP. Dy të prekurit janë në gjendje të stabilizuar dhe po trajtohen në spitalin infektiv.