Ministrja Besa Shahini, përmes komunikimit të radhës me video-mesazh, njofton se tashmë ka përfunduar edhe udhëzuesit për mësuesit me qëllim vlerësimin e njohurive të nxënësve gjatë kësaj periudhe që mësimi po zhvillohet në kushtet e shtëpisë.
“Janë vlerësime të thjeshta që mund të kryhen përmes rrjeteve sociale apo përmes e-mailit, dhe masin vetëm njohuritë bazë që nxënësi i ka ndërtuar gjatë kësaj kohe. Ky udhëzues u vihet në dispozicion të gjithë mësuesve, por natyrisht do ta postoj edhe te faqja ime në facebook, që të kenë qasje edhe prindërit e nxënësit dhe të gjithë bashkë të shohim se si do të realizohet ky vlerësim”, – shprehet ajo ndërsa nënvizon rëndësinë e këtij udhëzuesi për të shtuar edhe angazhimin e nxënësve gjatë kësaj periudhe.
Në video-mesazh, Ministrja Shahini gjen rastin të bëjë edhe një thirrje për mësuesit e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) që ata të krijojnë tutoriale për mënyrën e përdorimit të platformave falas për krijimin e klasave virtuale:
“Janë dy platforma, të cilat janë falas në dispozicion për të krijuar klasa virtuale. Është Google Classroom dhe Zoom, të cilin mësuesit ndoshta do të donin t’i vinin sa më shumë në funksion për të krijuar tamam klasë, pra jo që të bëhet komunikim një me një me nxënësit, por që të jenë të gjithë në platformë në të njëjtën kohë. Unë do të doja që mësuesit e TIK-ut të krijojnë tutoriale – pra video të shkurtra për mënyrën se si përdoren këto dy platforma, por në gjuhën shqipe sepse në gjuhën angleze ka pafund në Youtube në mënyrë që t’i ndajmë me mësuesit dhe sa më shumë mësues të kenë mundësi t’i përdorin këto dy platforma të cilat janë në dispozicion pa pagesë”, sqaron ajo.
Në fund të mesazhit të saj, Ministrja Shahini nënvizon se “kemi hartuar një pyetësor për mësuesit, prindërit dhe nxënësit për të parë dhe për të vlerësuar punën që kemi bërë gjatë kësaj kohe duke mësuar nga shtëpia. Është shumë e rëndësishme që sa më shumë nga ju ta plotësojnë këtë formular.
Ne dje e dërguam në orën 16:00 dhe diku për katër orë kemi marrë rreth 120 mijë përgjigje” dhe thekson:
“Unë do të doja që të kishim përgjigjet e të gjithëve nëse është e mundur – të gjithë personave që janë të përfshirë në punën nga shtëpia, që në këtë rast përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Kështu që ju bëj thirrje që deri të martën në mëngjes sa më shumë nga ju ta plotësoni këtë formular sepse na ndihmon neve që të kuptojmë si po ecën puna nga shtëpia dhe cilat janë elementet që duhet t’i përmirësojmë”, përfundon video-mesazhin e saj Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini.