Në një video-mesazh të publikuar në faqen e Facebook nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, mjeku i njohur i Shërbimit të Inektivit në QSUT Pëllumb Pipero, është shprehur se virusi COVID-19 duhet parandaluar dhe jo mjekuar dhe për këtë ju ka bërë një apel qytetarëve të mbrojnë veten dhe të tjerët.
“Epideminë dhe sëmundjen e shkaktuar nga koronavirusi COVID-19 e kemi më të lehtë ta parandalojmë se sa ta mjekojmë. Për ta parandaluar duhet doemos mirëkuptimi dhe mbështetja juaj.Mbroni veten, mbroni të tjetër, na mbroni edhe ne. Madje duke mbrojtur veten na ndihmoni t’ju japim më shumë ndihmë atyre që më shumë se kurrë kanë nevojë për ne”, shprehet Pipero në mesazhin e tij. Pipero thekson se në një situatë të tillë duhet të tregojmë kujdes duke zbatuar rregullat e higjenës dhe kufizimin e lëvizjeve. “Jo frikë, jo panik, paniku është aleati më i mirë i virusit. Mjafton të kufizoni lëvizjet dhe kontaktet dhe virusin e mbani larg. Dhe mos harroni të lani sa më shpesh duart me ujë dhe sapunë. Sëbashku ne ja dalim ta mundim këtë epidemi”, tha Pipero.