Shqipëria kapi rastet e para me Covid-19 më 9 mars dhe që atëherë, vendi është në shtetrrethim dhe masat e qeverisë sa vijnë dhe shtohen.
Në këto ditë të zeza, mjeku Pëllumb Pipero, jep një lajm të mirë.
Sipas tij deri më tani, “14,6% e mostrave kanë rezultuar pozitivë”, gjë që, sipas tij, “është një përqindje pak a shumë e njëjtë me vendet e tjera”.
”Tashmë kemi hyrë në javën e katërt. Për mendimin tim, në rast se rastet janë gjurmuar hap pas hapi, rastet e reja me shifra 11, 15 apo 13, janë trend pozitiv brenda të keqes së madhe që ka kjo epidemi. Java e dytë e prillit do të flasë shumë. Në rast se gjurmimi i rasteve vijon me kujdes dhe nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë masat e qeverisë dhe këshillat e mjekëve, unë besoj se java e dytë e prillit do të na gjejë në fillim të thyerjes së kurbës”,-tha në A2CNN.
Nga ana tjetër, në lidhje me kurën që përdoret për të infektuarit me Covid-19, ai tha:
”Kemi respektuar skemat e mjekimit më të përparuara që janë zbatuar në Kinë, Itali dhe vendet e tjera. I kemi dhënë një ose dy antibiotikë, oksigjenoterapi është mjekim kompleks dhe jemi treguar të kujdesshëm”.