Tiranë, 18 Mars- Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo i ftuar në ABC News tha se testimet do të kryhen tek pacientët që shfaqin shenja klinike.”Kur infeksioni ka hyrë në një vend është e palogjikshme të testohet vazhdimisht dhe në numër të lartë. Duhet të fokusohemi tek ato raste që shfaqin shenja klinike, si, vështirësi në frymëmarrje, temperaturë të lartë, kollë të thatë”, u shpreh prof. Kalo, njëherësh pjesëtar i Komitetit të Ekspertëve për masat për COVID-19.
Lidhur me rastet që mund të dalin negative, siç është rasti kontaktit të parë të pacientit zero, i cili në testin e parë pas trajtimit rezultoi negativ (ndërsa pritet një test i dytë konfirmues) prof. Kalo tha se pacienti në çdo rast duhet të vetëkarantinohet.“Nëse përgjigja del negative zakonisht pacienti shkon në shtëpi dhe vetëkarantinohet. Por në Shqipëri se kemi këtë kulturë, ndaj po e mbajmë rastin në pavion, sa të bëjmë dhe testin e dytë. Në rast se del negativ edhe herën e dytë, këshillohet që për 14 ditë të vetëkarantinohet.
Besoj këtë do të këshillojmë edhe ne. Virusi mund të mbijetojë deri në 27 ditë”, tha Kalo.
Prof. Kalo theksoi se parandalimi është kyçi i suksesit, që të mos ndodhë si në Itali ku sistemi shëndetësor nuk po i përballon dot rastet, ndaj duhen zbatuar masat dhe rregullat e vendosura për të mbrojtur veten, por mbi të gjitha dhe stafin mjekësor që është ndër më të rrezikuarit.