Mos pagesa e faturave të ujit dhe dritave është e pamundur në këtë kohë, tha kryeministri Edi Rama sot, duke u dhënë përgjigje kritikëve, e kërkoi nga qytetarët që të bëjnë sakrificën e tyre në këtë luftë.
“Qeveria mbahet me kontribute e jo me dëshira e dokrra rrjetesh sociale.
Kamatvonesat i falëm se jemi në luftë përndryshe kurrë s’do e lejoja, kjo e dobëson OSHEE, nëse këtë goditje duhet ta mbajë për të lehtësuar njerëzit, mospagea e dritave e rrëzon përtokë sistemin elektrik.
Kjo do na e bënte të pamundur jo fitoren por edhe mbarimin e kësaj lufte.
Pra një për të gjithë e të gjithë për një, shteti sa të mundet e secili për shtetin sa i takon, s’ka rrugë tjetër”, tha Rama.
“Unë po bëhem e të gjithë ne po bëhemi 14 copash që të mos lëmë asnjë prej jush vetëm. Shoh disa që rrinë brenda e bëjnë lloj lloj komentesh në rrjetet sociale për popullin që po vdes për bukë medemek, me kërkesa absurde deri për të mos paguar dritat, me tallje për policët, këto janë të turpshme, në një kohë kaq të vështirë kur duhet durim inkurajim e unitet kombëtar”, vijoi ai.
Në fjalën e tij, shefi i qeverisë tha se edhe vendet e tjera më të pasura në Evropë nuk po bëjnë ndonjë mrekulli në këtë periudhë lufte.
“Ne s’kemi një shkop magjik e s’jemi një shpi e pasur, edhe se me thënë të drejtën as në shtëpitë më të pasura të Ballkanit s’po shoh të bëhet ndonjë mrekulli e vecantë për këta njerëz të kapur befasisht. Unë s’do lë gjë pa bërë por dreqi e mori futeni mirë në kokë se jemi në luftë e secili duhet të shtrëngohet”.