Dy javë nga karantina dhe ende ka qytetarë të cilët shkelin rregullat e vendosura për mbrojtien e jetës e për pasojë ndëshkohen nga policia.
Qytetari K.B i cili është një prej 120 mijë qytetarëve të cilët duhet të qëndrojnë në karantinë pasi kanë ardhur nga zonat e prekura jashtë vëndit është gjobitur pasi është kapur në Tiranë duke lëvizur në qytet. Gjoba ndaj tij është 700 mijë lekë ose 5 mijë euro sipas ndëshkimeve të parashikuara në Aktin Normativ, tashmë në fuqi.
Megjithatë, ky nuk është shkelësi i vetëm i karantinës. 65 gjoba janë vendosur për qytetarë në të gjithë vëndin pasi janë konstatuar në lëvizje pas orarit të lejuar me këmbë apo me bicikletë, pa asnjë emergjencë të justifikuar. Ndërsa një prej këtyre shtetasve të gjobitur është shoqëruar e arrestuar në Komisariat pasi ka kundërshtuar punonjësit e policisë.
76 shtetas të tjerë janë kapur duke drejtuar automjetin e tyre në shkelje të urdhrit që ndalon qarkullimin, dhe u është hequr leja e qarkullimit dhe u është bllolluar mjeti. Ndërkohë rezulton se 9 subjekte tregtare që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes në ora 13:00 janë ndëshkuar dhe ndaj administratorëve është marrë masë e gjobës 100 mijë lekë për secilin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.