Në 20 vitet e fundit, bota është përballur me sëmundje dhe epidemi të ndryshme që kanë rezultuar shpeshherë vdekjeprurëse.

Në vitin 2002, disa vende të Azisë u prekën nga virusi SARS, duke shkaktuar probleme të theksuara në sistemin respirator dhe për pasojë vdekjen e mbi 700 personave. Në 2009, globi u ndesh me gripin e derrit. Virusi H1N1 u përhap me shpejtësi në të gjithë botën, numri i viktimave mendohet të jetë nga 100 mijë deri në 500 mijë persona.

Radha i erdhi poliomielitit në 2014-ën, që preku të gjithë botën dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli gjendjen e emergjencës globale. Vetëm dy vite më pas, u shfaq virusi zika, duke shkaktuar një epidemi të përqendruar në dy Amerikat. Ndërkohë, kontinenti afrikan vuante pasojat e tmerrshme të virusit të ebolës.

Nga 2014, deri në 2019 kanë humbur jetën mbi 11 mijë persona nga 30 mijë të infektuar nga ebola. Në 2020, u shfaq një virus shumë misterioz në Kinë fillimisht. Koronavirusi, “Covid-19”, u ka marrë jetën mbi 2 mijë personave, kryesisht në Kinë, dhe autoritetet e Pekinit si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, përveç përcaktimit si epidemi dhe shpalljes së emergjencës globale të shëndetësisë, duket se akoma nuk po arrijnë të frenojnë përhapjen dhe pasojat e rrezikshme.