Nga Enver Robelli/

Në dhjetor të vitit 1776 Benjamin Franklin u emërua komisar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Paris (sot do të thuhej ambasador). Franklin u prit me entuziazëm në rrethet intelektuale të Parisit. Bashkë me Thomas Jeffersonin ai ishte përpilues i Deklaratës për Pavarësi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ishte nënshkruar solemnisht më 4 korrik 1776. Deklarata amerikane për Pavarësi zgjoi interesimin e shumë njerëzve që ëndërronin një shtet ku sundon ligji, ku ka barazi e drejtësi, liri e shanse të barabarta. Në Deklaratë thuhet se çdo njeri ka të drejtë të synojë lumturinë (persuit of happiness).

Për t’i shijuar këto të drejta, njerëzit vendosin se kush do t’i qeverisë. Legjitimiteti i qeverisë buron nga miratimi i qytetarëve. Gazetat e Parisit e krahasonin Benjamin Franklinin me Platonin, Sokratin dhe Prometeun. Franklin ishte shkrimtar, shkencëtar, shpikës, burrë shteti, botues.

Në Paris ai shpesh kalonte çaste hareje në Café Procope, e cila është kafehania me gjasë më e vjetër në botë. Një mbrëmje në Café Procope hyri një avokat njëzetvjeçar i quajtur Georges Danton.

Me ton të ashpër, pothuaj fyes Danton iu drejtua Benjamin Franklinit: “Në këtë botë nuk ka gjë tjetër veçse padrejtësi dhe mjerim. Ku mbetet ndëshkimi? Pas Deklaratës suaj, zotëri Franklin, nuk ka aparat gjyqësor apo forcë ushtarake, e cila do t’ia siguronte respektin (Deklaratës)…”. Franklin u kundërpërgjigj: “Gabim! Pas kësaj Deklarate qëndron një fuqi e konsiderueshme, e përhershme: fuqia e turpit (the power of shame)”.

Meqë Kosova tani ka një qeveri të re, do të ishte mirë që përgjegjësit e saj të kuptonin qartë porosinë e Benjamin Franklinit mbi fuqinë e turpit. Një klasë politike që nuk ka turp, ajo qeverisë keq. Qe 20 vjet Kosova ka parë me bollëk shembuj të qeverisjes me paturpësi. Kosovës i duhet një klasë politike që respekton ligjin dhe që i vjen turp ta shkelë atë. (Ky postim nuk ka të bëjë asgjë me tollovinë rreth tarifave).

PS.
Në Café Procope Benjamin Franklin takohej me mikeshën e tij Anne Louise Brillon de Jouy, një pianiste dhe kompozitore e njohur, me të cilën Franklin flirtoi në mënyrë intensive në vitet 1777 dhe 1778 dhe në fund i dëshpëruar e qortoi se nuk ishte fare e xhymert me puthje. Mysafirë të tjerë të famshëm të Café Procope kanë qenë edhe Denis Diderot, Jean-Jacques Rousseau, Voltaire, Marquis de Condorcet, Alexander von Humboldt.

Çfarë u bë me Georges Dantonin, atë djalin që i bërtiti në kafehane Benjamin Franklinit? Georges Danton gjatë Revolucionit Francez (1789) ishte ministër i Drejtësisë dhe drejtor i Komitetit të Mirëqenies Publike (Comité de salut public). Siç ndodh jo rrallë revolucioni i ha fëmijët e vet. Më 1794 Danton u ekzekutua si komplotist, por pyetjen e kishte bërë të mirë atë mbrëmje kur hyri në Café Procope.