Në këtë kohë të vështirë që po kalon bota, ku pjesa dërrmuese e shteteve janë prekur nga koronavirusi edhe Shqipëria ka zgjedhur të marrë masa drastike, por të nevojshme, që kufizon qarkullimin e automjeteve.
Në një njoftim të fundit Policia e Shtetit sqaron se prej nesër do të lejohet qarkullimi i mjeteve rrugore private të shtetasve me numër të kufizuar njerëzish (4+1) në të gjithë vendin për tu kthyer në vendbanimet e tyre, nga ora 00:00 deri në orën 08:00 të datës 16.03.2020, duke respektuar kufizimet higjeno-sanitare të situatës së krijuar.
Njoftimi i plotë:
ORARET DHE MJETET QË MUND TË QARKULLOJNË
Në kuadër të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes COVID-19, Policia e Shtetit sqaron se:
– Do të lejohet qarkullimi i mjeteve rrugore private të shtetasve me numër të kufizuar njerëzish (4+1) në të gjithë vendin për tu kthyer në vendbanimet e tyre, nga ora 00:00 deri në orën 08:00 të datës 16.03.2020, duke respektuar kufizimet higjeno-sanitare të situatës së krijuar.
– NUK do të lejohet qarkullimi i mjeteve të shërbimit publik, përjashtuar shërbimin taksi 4+1, brenda këtij orari.
– Do të lejohet qarkullimi në oraret 06:00 deri në orën 08:00 në mëngjes dhe 16:00 deri 17:00 pasdite i mjeteve (furgonçina, furgonë, minibusë, autobusë) që do të bëjnë transportin e personelit dhe punonjësve të bizneseve prodhuese/industriale/bujqësore, duke marrë masa individuale mbrojtëse sipas kërkesave të dërguara dhe miratuara nga Policia e Shtetit, si dhe qarkullimi i automjeteve për punonjësit e Policisë së Burgjeve, SHPSF, si dhe personeli shëndetësor me mjetet e tyre private për vajtje-ardhje në pune, në oraret e ndërrimit të turneve, kundrejt dokumentit të institucionit ku punojnë.
– Do të lejohet lëvizja e mjeteve rrugore që kryejnë transporte të mallrave brenda dhe jashtë vendit për llogari të individëve, firmave dhe kompanive vendase dhe të huaja, furgonçina, furgonë, kamionë, të cilët merren me furnizimin e me produkte ushqimore dhe blegtorale dhe që ofrojnë shërbime për qytetarët, mjetet që transportojnë bazë ushqimore për blegtorinë.
– Jashtë këtij kufizimi do të lejohet të qarkullojnë, mjetet rrugore që kryejnë shërbime të emergjencës, ambulanca, zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë së Shtetit e ato ushtarake, punonjësit e medies me makina të loguara ose jo, por të pajisura me dokument identifikimi.
– Autorizimet e mëparshme të lëshuara nga Policia e Shtetit me afat deri në datën 15 mars 2020, iu zgjatet afati.
Policia e Shtetit gjen rastin për të apeluar edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë me korrektësi kufizimet e vendosura pasi shkelja e tyre do ndëshkohet me masa të rrepta administrative të reja të vendosura nga Qeveria për shkak të situatës, për të parandaluar përhapjen e COVID-19. (Lexo.al)