Nga Albiona Sulo/

Hej miq virtual,

Në fakt nuk e besoja se do të takoheshim sërish bashkë kaq shpejt, por mbështetja dhe gjithë perceptimi pozitiv që erdhi nga përvoja me shkrimin e parë, më bënë ta mendoja pak më seriozisht. Në fakt shkrimi i parë ishte tërësisht spontan, në mbështetje ndaj një nisme të disa prej mikeshave të mija për të ndarë recetat e gatimit me njëra- tjetrën dhe me të gjithë që donin të na ndiqnin. E me thënë të drejtën është një ide që ka ecur jashtëzakonisht mirë dhe çdo ditë në faqe ka me qindra mesazhe nga mikesha virtuale që dërgojnë gatimet e tyre për ti ndarë me të tjerët. Edhe një lajm i mirë meqë jemi këtu, ka dhe çuna që na kanë nisur gatimet e tyre. ?
Nisur nga ky reagim, mu ndez “llampa e Aladinit “ dhe më erdhi idea se do të ishte po aq produktive dhe bukur, sikur të ndanim bashkë edhe aktivitete tona të tjera që kryejmë brenda shtëpisë në këto ditë të karantinës. Më besoni që të jep një ndjesi tërësisht pozitive kur ti ndan veprimtarinë tënde me më shumë sesa miqtë e tu dhe e kupton se nuk je vetëm. Por nga ana tjetër besoj se kjo do të shërbente dhe si një terapi e mirë për të gjithë ata ndër ne, që jo çdo ditë zgjohen me ndjesi të mirë, apo herë pas here ndjehen jo energjik. Duke parë aktivitetet e njerëzve përreth, që njësoj janë të izoluar, mbase do t’ju shërbej për të gjetur forcën dhe të kenë një ditë relativisht më të mirë. Ndaj nga sot do të takohemi shpesh bashkë përgjatë këtyre ditëve jo normale në blogun ” Ditari i Karantinës”, një rubrikë e re në Lexo.al dhe në adresën @ditarikarantines në Instagram për videot, fotot, mesazhet dhe sugjerimet tuaja.
Në komunikimin me mikeshat e mia pas shkrimit të parë dhe shkëmbimit të videove tona gjatë gatimeve, vura re se të gjitha pothuaj gatuanim me muzikë në sfond. E keni parasysh kur ishim të vegjël dhe nënat tona dëgjonin muzikë popullore ose muzikë qytetare? Ime më për shembull gjithmonë dëgjonte muzikë qytetare shkodrane (origjina thërret) dhe atë korçare dhe herë pas herë bashkohej dhe im atë dhe kërcenin të dy. Po vazhdojnë e bëjnë edhe sot. ? A ka mënyrë më të mirë për ta kthyer gatimin në një argëtim dhe mos të na kthehet në stresin e ditës: obobo çdo gatuajmë sot? E ku ka më bukur pastaj sesa kur këtij procesit të gatimit me muzikë bashkohen dhe anëtarët e tjerë të familjes; fëmijët, bashkëshorti, motra, vëllai, shoqja apo shoku dhe ndërkohë që gatuani shkëmbeni dhe ndonjë koreografi të vogël? Unë besoj që jo, po ashtu dhe miket e mia. E për t’jua demostruar këtë po ju sjellim videon e Ejonës, që çdo ditë zgjedh të gatuaj me muzikën e kantautorit të saj të preferuar, Flor Mumajesit. Kur e pyeta çfarë të frymëzon tek këngët e tij kur gatuan, më tha: për mua s’ka rëndësi teksti, mua më frymëzon melodia e zërit, më jep frymëzimin e brendshëm për të gatuar me shpirt e jo me mendje. Po ty çfarë muzike të frymëzon gjatë gatimit, apo me kë muzikë zgjedh të kërcesh kur gatuan? Na i tregoni me videot tuaja në blogun @ditarikarantines në rrjetin social Instagram.

Rri në shtëpi! Do të dëgjohemi së shpejti!

https://www.instagram.com/ditarikarantines/?igshid=inh8hubdw9j4