Nga Altin Ketro
Kjo ka qenë një nga strategjitë e Sali Berishës kur ai dhe qeveria e tij ikën nga pushteti. Aq e dukshme ishte kjo strategji në të gjithë sektorët e jetës së vendit në vitin 2013, saqë Berisha nuk përmbahej duke përmendur çdo çast, ndonëse qeveria “Rama” sapo kishte ardhur në pushtet, që vendi po shkon drejt skenarit grek. Paktikisht ai e deklaronte hapur që vendi kishte falimentuar ekonomikisht dhe mbetej që kjo të shpallej edhe formalisht nga kryeministri Rama. Fatmirësisht Rama dhe skuadra e tij qeverisëse ia dolën që me ato mundësi të pakta që patën në fillim të mandatit të parë, të vënë në terezi disi punët e shtetit, ku një nga sfidat më madhore dhe më katastrofike ishte çështja e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me kompaninë CEZ, e cila nga ana juridike i takonte çekëve, nga ana faktike ishte shqiptare sepse iu sekuestrua çekëve me vendim qeverie.
Nuk dua të zgjatem në këtë temë sepse zgjidhja e asaj mosmarrëveshjeje është një nga krenaritë e qeverisë “Rama”. Pakkush i mendon çfarë pasojash do të kishim sepse ajo çështje u zgjidh, në të kundërt as sot e kësaj dite s’do e kishim marrë dot veten ekonomikisht. Çështja “CEZ” është personifikim i të gjithë të tjerave sipas teorisë “pas meje u bëftë qameti”. Duke ardhur në kohët e sotme, rreth situatës së rëndë të shkaktuar nga virusi vdekjeprurës “CoVid-19”, secili syresh, nga opozita e të tjerë faktorë social-ekonomikë, po japin receta se si e sa para duhet të japë qeveria. Është i drejtë shqetësimi i kryeministrit Rama që kur s’ke pushtet në dorë e ke shumë të lehtë të propozosh çfarëdolloj gjëje. Por një qeveri e përgjegjshme është e detyruar të shtrijë këmbët aq sa e ka jorganin.
Nëse Rama dhe mazhoranca qeverisëse do nisej me mentalitet populist, duke pasur si bashkëudhëtarë edhe strategjinë e Sali Berishës, nuk do e kishte aspak problem që sot t’i shtrydhte të gjitha resurses financiare të vendit ku, nga njëra anë falte taksa e detyrime të tjera ndaj operatorëve publikë që ofrojnë shërbime, nga ana tjetër të financonte pa hesap gjithfarëlloj kërkesash që i vinin nga biznesi e individët, e pastaj ta shtynte sa ta shtynte deri nga vera apo nga vjeshta, t’i fuste një palë zgjedhje ku të mos impenjohej fare për fitore e t’i thoshte opozitës: “Merreni tani këtë tokë të djegur që po u lë unë. Kurse mua do të më keni çdo ditë në rrugë duke ju kërkuar qysh në ditën një të pushtetit tuaj, që ta bëni Shqipërinë dhe ekonominë e saj bahçe me lule”. Nëse ka sot një njeri apo një grup njerëzish që janë të interesuar që problematika me “CoVid-19” të mos zgjasë shumë dhe që masat shtrënguese të hiqen duke vijuar jeta si më parë, ata janë Edi Rama dhe ministrat e tij. T’i vendosësh ata në tabelë qitje sikur ata janë të gëzuar apo që po realizojnë ëndrrat e tyre të kahershme “diktatoriale” duke mbajtur popullin të izoluar në shtëpi, është pak t’u thuash maskarenj të gjithë atyre që e mendojnë, pale që e thonë.
Sepse, të jesh në kulmin e punës për të zbatuar projektin madhor të rindërtimit të banesave të atyre që humbën shtëpitë nga tërmeti, çfarë përfitimi paske ti si qeveri duke e shtyrë në kohë, duke paralizuar edhe frontet e punës në sektorë të ndryshëm e për çfarë(?), për të mbajtur popullin në shtëpi e të papunë, duke rënduar buxhtin e shtetit për të kompesuar pagat e tyre në privat dhe e gjitha kjo sepse Rama dashka të bëjë një eksperiment social që a durojnë dot njerëzit të rrinë me ditë të tëra në shtëpi?! Që ta kuptosh gjithë këtë situatë të rëndë që po sjell ky virus, që ta ndjesh se çfarë barre i ka rënë mbi supe kryeministrit Rama, mjafton të bësh një eksperiment vizual duke krahasuar dy politikanë. Të shohësh se si këto 10 ditët e fundit Ramës po i zbardhet me shpejtësi edhe ajo pak pjesë e zezë e qimeve të mustaqeve nën hundë, kurse Bashës këto 10 ditë flokët po i nxihen pis të zeza si kurrë më parë. Kaq mjafton për të parë se sa të lehtë e ka ky i fundit kur bën propozime, e sa të vështirë e ka i pari kur merr vendime.
Mbi kërkesën opozitare që të testohet çdo individ Një nga propozimet që opozita e trumbeton me të madhe sepse këtë e ka thënë OBSH, është: “Bëni sa më shumë teste”. Opozita avancon dhe kërkon që testet për infektim nga virusi t’u bëhen të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nuk jam mjek, por më punon logjika, dhe në planin logjik kjo më duket utopi. Nuk më intereson se si e kanë bërë vende të tjera shumë të zhvilluara, por në realitetin shqiptar kjo nuk mund të bëhet. Sot ne kemi vetëm një laborator në ISHP që kryen analizat. Kapaciteti është për 300 analiza në ditë. Po ngrihet edhe një laborator tjetër në QSUT sipas certifikimeve nga OBSH dhe me gjasë totali ditor do shkojë 600 analiza në rastin më fatlum. Le të marrim një mesatare prej 2.5 milionë banorë në të gjithë Shqipërinë, ose 1 milionë banorë vetëm për Tiranën, meqë kryqyteti ka numrin më të madh të të infektuarve. Varianti i parë: T’i thërrasësh qytetarët e Tiranë nëpër qendrat shëndetësore për të bërë testin me tampon. E kush do të ishte mirëkuptues për t’i lënë vend tjetrit që të shkojë i pari? Askush! Sepse gjithkush do të dëshironte që të ishte ai i pari. Kjo do të sillte rradhë të gjata në dyert e poliklinikave (nëse do i marrim këto si pikë kontakti) dhe grumbullimi i njerëzve praktikisht do kthehej në një bombë me sahat ngaqë prania pranë e pranë e tyre do të rezultonte në një infektim masiv. Të shpresosh që me polici të përbash turmat, do të thotë që s’jeton në një botë reale, po virtuale.
Varianti i dytë: T’u shkohet qytetarëve shtëpi më shtëpi dhe t’u bëhet kampioni i testit. Kur organizohet censusi i popullsisë, anektuesve, në mos gaboj, u lihet një muaj kohë që të shkojnë nëpër shtëpitë e qytetarëve për të plotësuar të dhënat e tyre. Për censusin rekrutohen kryesisht studentë të çfarëdolloj dege, po edhe individë të tjerë me moshë më të madhe që kanë njëfarë përgatitje shkollore. Kurse për të marrë kampionin e testit me tampon për virusin “CoVid-19” duhen njerëz thellësisht të specializuar në këtë fushë, ndryshe është njësoj sikur të fusësh kasapin për të kryer një operacion kirurgjikal. Jo vetëm që mungon kjo sasi e stërmadhe specialistësh do që u shkonte derë më derë (këta specialistë të certifikuar do duheshin edhe nëse testi do merrej nëpër poliklinika), po edhe sikur në rastin hipotetik do ta kishin këtë sasi specialistësh, a i bën njeri llogaritë se sa ditë do duhej që të bëhej ky testim?
Nëse llogarisim dy laboratorë me kapacitet total prej 600 analizash në ditë, i bie që të kryhen afro 18 mijë analiza në një muaj në rastin më të mirë të mundshëm. Nëse marrin si bazë testimi vetëm 1 milionë banorët e Tiranës, rezulton që do duhen 60 ditë për këto analiza, gjithnjë në rastin më të mirë hipotetik. Po kush na garanton që gjatë këtyre 60 ditëve, ata të parët që kanë rezultuar negativ, nuk janë takur pa dashje me një që më pas rezulton pozitiv, duke u infektuar nga këta të dytët dhe loja e testimeve i bie të rihapet nga fillimi?! Nuk është vetëm çështje financiare ky lloj testi për çdo individ, por edhe lodhje mendore e fizike i të gjitha atyre që do angazhoheshin në këtë rrugë pa krye që nuk të jep asnjë rezultat, duke e çuar dëm të gjithë punën. Mbase kjo gjë do funksiononte në shtete që e gjurmojnë në formë digjitale çdo individ, negativ a pozitiv që lëviz nga banesa në drejtime të tjera. Vetëm kështu mund t’ia dalësh që ta kesh situatën nën kontroll. Kurse në Shqipërinë tonë të dashur, ku njerëzit duan të shijojnë këto ditë pranverore plot diell, pa e vrarë mendjen për sanksionet e forta që ka vënë qeveria, vetëm ata që thonë se 7×7=42 mund të kërkojnë dhe të besojnë se testimi i çdo individi do të zhdukë virusin “CoVid-19”.