Pas rrëzimit të qeverisë Kurti dhe akuzat apo replikat në distancë mes kryeministrit në detyrë dhe zyrtarëve të lartë të SHBA, Presidentit Thaçi apo kreut të LDK Isa Mustafa, ambasadori amerikan Kosnett ka shkuar në Presidencë.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett thanë se kanë shprehur respektin më të lartë për përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për ta luftuar virusin Covid-19.
Thaçi theksoi se seanca e Kuvendit të Kosovës për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, ka konfirmuar edhe njëherë standardin e lartë të demokracisë në shtetin tonë, si dhe respektin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ndaj Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.
Presidenti Thaçi dhe ambasadori Kosnett janë pajtuar që procedurat e mëtutjeshme për formimin e një qeverie të re duhen bazuar plotësisht në Kushtetutën e Kosovës, duke njohur rolin vital të Gjykatës Kushtetuese në këtë proces.
Thaçi përsëriti që Kosova është e bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila vetëm po forcohet në këto kohë të vështira për të dyja vendet.