Nga Alfred Peza/
Nga padurimi fillestar po kalohet gati gati në dëshpërim në radhët e një pjese të opozitarëve më të flaktë me qeverinë “Rama”, të cilët pyesin çdo ditë publikisht se përse ndryshe nga shumë shtete të tjera, nuk është shënuar ende një rast korona virusi, edhe në Shqipëri!
Kjo skenë duket pothuajse identike me atë të disa muajve më parë, pasi Ilir Meta kishte parashikuar rënien e një tërmeti apokaliptik që do ta trondiste vendin nga themelet. Apo me fake news-et e portaleve pranë tij, që i urdhëruan njerëzit të dilnin urgjent nga shtëpitë në rrugë, duke caktuar edhe orën, minutat dhe sekondat se kur fundi i botës do të vinte në këto anë dhe tërmeti rrënimtar do të na rrafshonte.
Ndryshimi i vetëm mes këtyre dy rasteve, lidhet me faktin se tërmeti është një dukuri natyrore që nuk mund të parashikohet, ndaj të gjitha lajmet apo deklaratat e bëra për të, thjeshtë sa përdoreshin për të përhapur panik për të krijuar terror vitual nga tmerri përballë së panjohurës. Ndërsa korona virusi është një realitet konkret, i prekshëm në shumë shtete të botës, ku falë edhe epokës së shoqërisë së informacionit ku jetojmë, lajmet përhapen pothuajse në kohë reale.
E nëse e gjithë bota është bërë një për ta përballuar të keqen që spo i gjendet ende ilaçi, tek ne duket sikur disa me zor po presin sa të gjendet qoftë edhe një rast i vetëm, për ta pëdrorur për luftën e radhës politike që vazhdon të na ndajë pa u ndalur.
Të gjithë drejtuesit e institucioneve tona të specializuara që nga mjekët, epidemiologët, autoritetet e ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë, por edhe Organizatë Botërore të Shëndetësisë deklarojnë me përgjegjësi të plotë se deri tani, nuk ka asnjë rast me korona virus në Shqipëri. E kjo në vend që të na japë shpresë dhe optimizëm që e keqja të vazhdojë të qëndrojë sa më larg nesh,- sigurisht duke u përgatitur natë e ditë edhe për më të keqen,- çuditërisht po ndodh e kundërta.
“Sjellësit e fatkeqësive” kanë gati dy muaj, që këndojnë pa u lodhur e pa u ngjirur, “këngën e fundit të mejlmës”! Njëri prej opozitarëve e përshkruante sot Shqipërinë e tij me korona virus, sikur sapo kishte parë një film horror, në kushtet e shtëpisë: “Nga të dhënat që janë për sistemin tonë shëndetësor e parësor, ne i përkasim atij grupi vendesh ku këto raste sjellin “kolapsin e shtetit”. E tek ky grup bënin pjesë ato shtete që nuk kanë struktura shëndetësore si Karantina speciale, klinika, etj. (?!) të cilat sjellin si pasojë kontaminime të pakontrolluara e përfundime thellësisht negative, ku shteti heq përgjegjësitë e tij dhe masivisht të kontaminuarit a të dyshuarit lihen në mëshirë të fatit”,- shkruante ai.
Të tjerë akoma, skanë lënë gjë pa deklaruar paradhënie; nga dështimi i shtetit, tek dorëzimi pa kushte i të gjitha strukturave tona të specializuara përballë një situate krejtësisht inekzistente. E deri për kolapsin apo falimentimin e institucioneve të specializuara që mobilizohen në të tilla raste.
Ka nga ata që duket sikur gati lutet natë e ditë që veç të na vijë një rast. Qoftë edhe një i vetëm, edhe në Shqipëri, o Zot! E pas kësaj, le të ndodhi qameti pastaj. Mjafton që ata ta shohin veç njëherë atë Ed Ramën përballë korona virisut, kur ti ngrijë buzëqeshja në buzë. A thua se epidemi të tilla zgjedhin, apo korona virusi është një çështje politike dhe jo problem Nr. 1 shëndetësor global në ditët e sotme.
Në këto kushte, nëse ndodh (larg qoftë) që edhe në Shqipëri të identifikohet pacienti i parë me korona virus, e sigurtë është që tani se filmi që do shohim do jetë i njëjtë se me rastin e tërmetit. Do të mundohen me çdo mjet e mënyrë për të përhapur panik sa të mundin, me shpresën se atë që nuk po e arrijnë dot kundër mazhorancës socialiste me votë, do e arrijnë përmes “Shqipërisë Karantinë”!
Dikush duhet ti qetësojë, duke i thënë se ëndrrat e tyre për të parë fushat e mbushura me korba, nuk janë projekte politike. Se po të ishte ashtu, deri më sot, do ishin rrëzuar qeveritë e gjysmës së planetit! Ndaj, sna mbetet gjë tjetër, veçse të urojmë që Zoti ta mbajë dorën në këto anë, ku jo pak skena nga ato që ëndërrohen sot, kemi parë përgjatë historisë sonë në të shkuarën. Projekti i jashtëzakonshëm i rindërtimit nga tërmeti, është garancia për të bërë më të mirën sëbashku, nëse e keqja na troket sërisht në derë!