Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero ka publikuar në “Facebook” foto me kolegët e tij në Spitalin Infektiv i kthyer tashmë në një spital COVID-109.
Pipero shkruan se pavijonet e spitalit Infektiv po hyjnë në betejë njeri pas tjetrit dhe se këta mjekë e infermierë janë një pjesë e ekipit të talentuar, punëshumë e fjalëpak, të përkushtuar deri në fund për ta fituar betejën me Covid-19.
“Së bashku do e fitojmë këtë betejë, se lufta vazhdon”, thekson ai.
Si në një betejë të vërtetë, por këtë radhë me një armik të padukshëm dhe shumë vrastar, shumë tinëzar dhe ende të panjohur mirë nga shkenca mjekësore, pavijonet e spitalit infektiv njeri pas tjetrit po hyjnë në betejë. Këta mjekë e infermierë janë një pjesë e ekipit të talentuar, punëshumë e fjalëpak, të përkushtuar deri në fund për ta fituar betejën me Covid-19. Ne sot kemi në spital 72 pacientë, secili me probleme nga të lehta deri shumë të rënda shëndetësore, por kemi edhe 17 të shëruar, edhe pse iu duhet ende të qëndrojnë në shtëpi. Ne jemi në detyrë, për t’ju shërbyer juve, Ju të dashur qytetarë qëndroni në shtëpi për të mos rënë në kontakt me virusin. Së bashku do e fitojmë këtë betejë, se lufta vazhdon. Ne bluzat e bardha e kemi gjithë jetën sfidë, gjithë jetën luftë me agjentët mikrobikë, bacterie apo viruse qofshin ato, sikundër është dhe Covid 19. Së bashku ja dalim, së bashku do fitojmë!