Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm Agim Veliu për shkak se ky i fundit ka përhapur panik. Në një njoftim të Qeverisë së Kosovës, thuhet se ministri Veliu ka përhapur panik përmes deklaratës që ka bërë në një televizion. Veliu ka thënë se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë po rritet vazhdimisht.

“Ai, gjithashtu, në këtë deklarim, përhap panik duke thënë se “numri i të prekurve po rritet prej ore në orë”. As Ministria e Shëndetësisë e as Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk thanë që numri i të infektuarve me COVID-19 po rritet nga ora në orë. Në këto momente, kur e gjithë administrata publike po bën përpjekje maksimale për të minimizuar dëmet nga virusi Korona, udhëheqësit e institucioneve qendrore, përfshirë këtu anëtarët e kabinetit qeveritar duhet të demonstrojnë maturi si në vendime ashtu edhe deklarime.

Përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Burimi: tvklan