Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, jep një mesazh falënderues për të gjithë mjekët, infermierët, policët, që në këto ditë të vështira të koronavirusit janë në vijën e parë të përballjes me rrezikun.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në “Facebook-un” e ambasadës së SHBA, Kim thekson se ata mishërojnë çdo gjë që bota adhuron te Shqipëria dhe populli shqiptar, kurajo, besnikëri dhe këmbëngulje.

“Ndërsa bashkojmë forcat tona për të luftuar koronavirusin, doja të merrja disa çaste për të falënderuar, në emër të të gjithë ambasadës së SHBA, të gjithë doktorët, infermierët, policët, vullnetarët, sanitarët, të gjithë ata që kanë bërë përpara për t’u siguruar që të gjithë ne të jemi të sigurt dhe që shërbimet jetësore të vazhdojnë. Faleminderit shumë për sakrificën tuaj. Ju mishëroni çdo gjë që e gjithë bota adhuron te Shqipëria dhe populli shqiptar, kurajo, besnikëri dhe këmbëngulje, pavarësisht rrethanave. Falë sakrificës tuaj, ne do t’ia dalim së bashku! Faleminderit shumë, faleminderit nga zemra”, thekson ambasadorja Yuri Kim.