Nga Mero Baze

Një prej infermierëve që doli vullnetar për të shkuar në Itali, është bërë shënjestër e ish- ministrit të Shëndetësisë së kohës së Partisë Demokratike, për shkak se në kohën që ai ka qenë minister, e ka lënë pa punë dhe ai është detyruar të bëjë një punë tjetër.

Jehona që pati misioni i mjekëve shqiptarë në Itali është tanimë një gjë që do të mbesë në histori. Dhe jo në historinë tonë, por atë të Italisë dhe Europës. Në historinë tonë ka për të mbetur ky gjesti i Petrit Vasilit, që pasi dështoi të përhapë panik në Shqipëri, tani shpreson të trembë spitalet në Itali ku kanë shkuar mjekët dhe infermierët shqiptarë.

Unë e kuptoj se imazhi i fortë që prodhoi kryeministri në Itali dhe në Perëndim me këtë gjest, është një lloj dëshpërimi për opozitën. Por në këtë rast, është mirë të shmangësh përballjen me të, se nuk je i detyruar të përballesh çdo ditë me dhimbjen që të jep mos përballimi i kundërshtarit. Le të bëjnë së paku sikur gëzohen për emrin e mirë të Shqipërisë, që u promovua në këtë rast.

Por doja me këtë rast të bëja një krahasim çfarë imazhi i ka dhënë Petrit Vasili Shqipërisë, dhe çfarë i ka dhënë ky Qazim Ismaili?

Të dy kanë nga dy profesione. Petrit Vasili  ka qenë dikur mjek. Pastaj kur ka qenë në pushtet është bërë ministër. Tani që nuk është në pushtet, nuk është as mjek, as ministër, por sharrës.

Qazim Ismaili ka qenë infermier. Kur ka qenë në pushtet Petrit Vasili, e ka hequr nga puna, ose nuk i ka dhënë të drejtën të punojë infermier, dhe ai kë bërë punë tjetër. Tani ai është pjesë e një ekipi që i ka ngritur kokën Shqipërisë në Itali dhe në Europë.

Mjafton kaq për të dëshmuar se Qazim Ismaili i vlen më shumë Shqipërisë se Petrit Vasili. Ky I fundit i kishte të gjitha shanset e Qazimit t’i bashkohej atij ekipi, se është dhe mjek epidemiolog, dhe të përmirësonte ndjeshëm imazhin e tij. Mund t’ia kishim harruar gjithë idiotësitë që thotë përditë, gjithë përpjekjet e dështuara për të përhapur panik, dhe ta konsideronim të shëruar, si pacient i pashpresë i politikës.

Por ai nuk e  bëri. Ai nuk vlen as sa një e qinda e Qazim Ismailit vetëm për këtë shkak, pasi ai sot ka provuar që nuk është as mjek, as politikan. Po të ishte mjek i vërtetë, meqë është dhe i papunë, do kishte vrapuar i pari, në mos në Itali, në spitalin tonë. Ai në fakt rri bordurave duke ngrënë fara e duke sharrë mjekët që po përballen me epideminë.

Po të ishte politikan, akoma më shumë do të bënte diçka që të fitonte simpatinë e njerëzve. Ky është i vetmi politikan që del në mëngjes nga shtëpia, për t’u bërë ose qesharak, ose i urryer nga publiku. Dhe tani kur shikon që për gjestin e Edi Ramës, në Itali, jo vetëm televizionet  më të mëdha italiane dhe të gjitha gazetat politike, por dhe gazetat e sportit, kanë bërë faqe të tëra speciale, natyrisht që nuk mund ta ndalësh këtë gjë duke shpikur Qazimin pompist.

Sot Shqipërisë i vlen më shumë Qazim Ismaili, pasi ai i ka bërë nder Shqipërisë, duke shkuar si infermier në Itali, se sa Petrit Vasili, duke u përpjekur të trembë Italinë, se ai nuk është infermier, por pompist. Ata e kanë aty si infermier dhe e provojnë vet këtë.

Është njësoj sikur të trembësh shqiptarët, duke u thënë që Petrit Vasili do jetë prapë ministër shëndetësie, pasi ka ngrënë fara ca kohë rrugëve. Nuk i tremb dot, se e kanë vetë në dorë ta lënë të hajë prapë fara.