U deshën gjashtë orë diskutime të nxehta për të gjetur një zgjidhje kompromisi, në tentativë për të aprovuar një dokument të përbashkët, në planin ekonomik dhe financiar, nga 27 vendet anëtare të BE në lidhje me emergjencën shëndetësore nga Covid-19
Pas përplasjeve të forta të shteteve anëtare u vendos që Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të paraqesin të tjera propozime afatgjata brenda dy javësh.
Kontraditat kishin të bënin me ngadalësinë e Evropës dhe taktikat e përdorura financiare, në një kohë kur duhen reagime të shpejta dhe të përbashkëta ndaj koronavirusit dhe pasojave të tij, veçanërisht nga pikëpamja ekonomike.
Samiti i liderëve të BE-së u realizua përmes një telekonference. Pas kundërshtimeve të forta që pati Italia dhe Spanja të cilat hodhën poshtë draftin fillestar.
Në dokumentin e ri thuhet se Këshilli “merr parasysh përparimin e bërë nga Eurogroupi” dhe “në këtë fazë” fton ministrat e financave të zonës euro “të paraqesin propozime brenda dy javësh”.
Gjithashtu në dokument thuhet se “Përgjigja e BE do të intensifikohet, nëse është e nevojshme, me veprime të mëtejshme dhe mënyrë gjithëpërfshirëse, në dritën e zhvillimeve më të fundit për ti dhënë një përgjigjë globale emergjencës.
Presidenti i Këshillit Evropian tha se ‘Kjo ishte një mundësi për një shkëmbim politik të pikpamjeve, ditë jashtëzakonisht intensive por dhe me cilësi për të planifikuar masa të reja në javët dhe muajt e ardhshëm”
Kryeministri italian Giuseppe Conte sulmoi disa prej udhëheqësve të Evropës Veriore, Gjermaninë në rradhë të parë, duke thënë se “Nëse dikush do të mendonte për mekanizma mbrojtës të personalizuar, mund t’i mbajë ato për vete: Italia nuk ka nevojë për to”. Edhe Franca dhe Spanja ishin në të njëjtin pozicion si Italia.
Gjatë video konferencës me liderët evropianë, Giuseppe Conte sqaroi se askush nuk mendon për “një ndarje të borxhit publik. Secili vend i përgjigjet borxhit të vet publik dhe do të vazhdojë t’i përgjigjet”. Italia – shpjegoi Conte – ” i ka kredencialet për financat publike. Ne- tha ai e mbyllëm vitin 2019 me një raport deficit / BPV prej 1.6 në vend të 2.2 siç ishte planifikuar”. Prandaj, Italia hodhi poshtë projektin e propozuar në diskutimin në tryezën e Këshillit Evropian mbi mjetet që duhen për t’u marrë me krizën ekonomike të lidhur me koronavirusin.
Po, si erdhi kjo përplasje e paparë në momentin më të keq për Europën?
Italia dhe Spanja e kishin konsideruar qasjen e BE si “të pamjaftueshme” përsa i përket përdorimit të instrumenteve të rinj financiarë. Në tryezë ishte propozimi për një Koronabond, një ide e refuzuar nga Gjermania dhe fronti Nordik Europian.