Filiali i Postës në Elbasan ka shpërndarë deri tani 42 248 pensione pranë banesave të të moshuarve, pa qenë nevoja që ata të lëvizin duke shmangur përhapjen e COVID-19.
Prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj bëri të ditur për ATSH-në se “deri më datë 23 mars 2020 janë shpërndarë në total 42 248 pensione. Filiali Elbasan e ka ngarkesën 53 440, pra mbeten për t’u shpërndarë dhe 11192 pensione. Duke ju referuar shpërndarjes së muajit shkurt pra, 50 996 pensione, mbeten për t’u shpërndarë dhe 8 748 pensione”.
Sipas tij, vetëm ditën e djeshme, janë shpërndarë 2 531 pensione ndërkohë që vijon edhe shpërndarja e ndihmës ekonomike.
Në kuadër të situatës së krijuar prej COVID-19, qeveria mori masat që pensionistët dhe të moshuarit të mos lëviznin prej banesave të tyre, duke dërguar edhe pagesat e pensioneve pranë banesave të tyre. Të moshuarve dhe pensionistëve të vetmuar, krahas ndihmës ushqimore po u sigurohen edhe medikamente në banesat e tyre.