Edhe pas dyerve të mbyllura të stadiumeve, zhvillimi i Serie A mbetet në rrezik për shkak të “Coronavirus”. Në fakt, presidenti i FIGC, Gabriele Gravina, tha për mikrofonat e “Rai Sport” se, në rast të kontaminimit të një futbollisti, kampionati mund të ndalet plotësisht: “Në rast të infektimit me “Coronavirus” të një lojtari të Serie A, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbrojtjen e sportistëve, para së gjithash. Nuk mund të përjashtojmë as pezullimin e kampionatit”.
Sikurse dihet, për momentin është në fuqi dekreti qeveritar në Itali, që detyron zhvillimin e ndeshjeve të Serie A pa tifozë, pra në stadioume të boshatisura, deri më 3 prill. Mirëpo, emergjenca e “Coronavirus” në Itali vetëm po rritet përditë. Numri i të infektuarve dhe të vdekurve tregon një situatë kritike, që vështirë të mos kërkojë masa drastike edhe në futboll.