Nga Alfred Peza/

Mjafton që të shihni qasjen e Lulzim Bashës ditët e fundit, në raport me zhvillimet rreth luftës kundër koronavirusit, për të kuptuar se përse në vend që ti afrohet pushtetit sa më gjatë qëdron në opozitë, ai në fakt duket sikur i largohet gjithmonë e më shumë. E gjitha e ka një shpjegim shumë më të thjeshtë, sesa e mendojmë dhe rrekemi ta gjejmë, përmes analizash të thella e të gjata të mbushura plot filozofi e mendime sipërane.

Arësyeja e thjeshtë është se opozita jonën nën drejtimin e Lulzim Bashës, është vendosur sistematikisht në anën e gabuar të zhvillimeve politike, që ka kaluar vendi pas vitit 2013. Duke përqafuar pa u lodhur kauzat e gabuara, duke mbrojtur çështjet e gabuara, duke përshkruar pambarimisht rrugën e shkurtër por përsosmërisht të gabuar, e cila e ka nxjerrë gjithmonë larg e më larg shtegut që të çon në mënyrë të sigurtë drejt qafës nga ku shfaqet horizonti i fitores triumfaliste të pushtetit.

Pasi dështoi me ngritjen e Task Forcës së PD për luftën kundër koronavisurit, me denoncimet “fake” për rrezikshmërinë e madhe që paraqisnin për shëndetin maskat që sot i mban e gjithë bota, me konferencat e shtypit të militantëve partiakë që flisnin në emër të mjekëve pa uniforma speciale ndërkohë që po ata vetë kishin bërë sfilata në rrjetet sociale me to dhe pasi përdorimi politik i doktorave të PD kundër qeverisë nëpër studio televizive iu kthye në boomerang, e ndërroi fletën.

Pas kësaj kaloi në fazën e dytë të luftës së tij kundër mazhorancës së Kryeministrit Edi Rama me kauzën e gabuar të Covid-19. Si në çdo fillim të ri e keni vënë re besoj se bën deklarata dhe mban qëndrime “politikisht korrekte”. Edhe këtë radhë përshëndeti e u solidarizua me mjekët dhe infermierët duke u dhënë atyre mbështetje me fjalë, e duke i quajtur më në fund siç gjithë qytetarët e tjerët shqiptarë i kanë quajtur që në ditën zero: Heronjtë tanë! Por kaq. Mos prisni më shumë se kaq. Pas kësaj ka nisur si në rastet e tjera, edhe për këtë kauzë të re, një avaz të vjetër.

Ashtu si në rastin e tërmetit, kur e kuptuan se nuk mund të përfitonin kurrë politikisht në kurriz të halleve të qytetarit, se nuk mund të përdornin dot viktimat për të fituar kredo opozitare kundër qeverisë dhe kur askush nuk i mbështeti për të fajësuar Edi Ramën pse bie tërmeti dhe pse përhapet koronavirusi, nuk bënë atë që po bën çdo opozitë tjetër normale në botë duke u bashkuar më qeverinë në luftën kundër të keqes së përbashkët për shqiptarët dhe mbarë njerëzimin. Por vazhduan edhe këtë radhë me qasjen e tyre të gabuar, duke bërë arrogantin, të fortin dhe të dërguarin e Zotit nga qielli që çdo ditë sjelle fermane për qeverinë, e cila duhet patjetër që ti zbatojë siç i mendon Lulzim Basha. Se ndryshe, nëse Edi Rama nuk vepron ashtu siç thotë kryetari i opozitës, atëherë ai… i trash zërin.

E bëri këtë pas zgjedhjeve lokale të 2015. E përsëriti në çadrën e Republikës së Re përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 2017. E vijoi trashjen e zëri përgjatë “revolucionit popullor” të molotovëve për ta përfunduar çdo ditë me stonaturën e këndimit të himnit kombëtar. Iu rikthye sërisht kësa qajse edhe pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kur i la të gjithë opozitarët për herë të parë pas 30 vjetësh rrugëve e pa asnjë përfaqësimin në asnjë lloj pushteti. E vazhdoi me katastrofën natyrore të 26 nëntorit. E si të mos kishte ndodhur asgjë dhe sikur të gjitha këto ta çonin “nga fitorja në fitore”, po e vazhdon këtë të njëjtin avaz, edhe këto ditë të pandemisë globale të shpallur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Lulzim Basha nuk po sugjestionon dot më askënd nga të vetët, e jo më nga mazhoranca qeverisëse, me këtë lloj qasje që po e çon atë dhe PD, nga humbja në humbje. Nëse mendon se këto fjalë po ja thotë një socialist, le të mësojë të paktën nga Ilir Meta, ku ka edhe më shumë besim. Që pas 2 marsit, kur zhvilloi mitingun me militantët e PD në bulevardin Dëshmorët e Kombit, Presidenti i Republikës ka patur një qasje krejt tjetër nga kryetari i opozitës sonë.

Nëse sheh postimet e tij në rrjetet sociale, Lulzim Basha ka mundësi të mësojë se Kreu i Shtetit çdo ditë e më tepër po bëhet bashkë me qeverinë, në luftën kundër koronavirusit. Kjo nuk është se e bën Ilir Metën që të duket ndryshe në sy të shqiptarëve. Por e sigurtë është se kjo qasje e tij, bën një gjë tjetër shumë të mirë: E bën Lulzim Bashën që të duket më keq se çdo herë tjetër, përpara tyre!