Qytetarët do të përfitojnë falas banesat e rindërtuara pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, ndërsa deri në fund të vitit, 4 mijë familje që kanë shtëpi individuale do të futen në banesat e reja. Kështu deklaroi sot nga Shijaku, Kryeministri Edi Rama, në një bashkëbisedim me banorët mbi programin e Rindërtimit. Rama informoi se “po vazhdon intensivisht puna dhe pse kjo është pjesë e padukshme e punës së përditshme dhe njerëzit thonë me të drejtë se duam të shohim kur të vijë kompania dhe të fillojë kantieri”. “Por, që të filloj kantieri duhet bërë plani, projekti dhe ne e kemi bërë në kohë rekord. Kemi angazhuar shumë njerëz, pasi për një projekt të tillë zbatimi për ndërtimin e kaq shumë apartamenteve do të duheshin të paktën 6 muaj. Ne nuk mud të presim 6 muaj, qëllimi ynë është që ata që kanë humbur shtëpitë në zonat periferike dhe jetojmë me qira ose në çadër ta kalojnë Vitin e Ri nën çatinë e re”, tha Rama.
Kryeministri shprehu besimin se 4 mijë familje padiskutim do të jenë në 31 dhjetor në shtëpi. “Pastaj apartamentet duan pak më shumë kohë e durim, se këtu nuk bëhet fjalë për të riparuar si më parë. Në Shijak kishim godina shumë të vjetra, që ishin vërtetë keq. Edhe sikur të ishin të riparueshme nuk mundet dot t’i lëmë fëmijët tanë të rrinë në ato shtëpi edhe sikur të mos kishin rrezik shembje. Ato të gjitha do të bëhen nga e para dhe do të jenë apartamente që shumica e familjeve që do t’i marrin nuk i blejnë dot në treg, por do të jenë falas dhe nuk do të paguani asnjë qindarkë”, i tha Rama banorëve. Kryeministri theksoi se “ky është një program shumë atipik”. “I kemi parë programet e rindërtimit. Italia ka pasur shumë tërmete dhe të mos themi se ka sot njerëz akoma në kabina që presin shtëpinë e tërmetit që u ka rënë para 10 vitesh, por asnjë shtëpi e re në Itali nuk jepet falas. Një pjesë parash i japin grant dhuratë nga shteti, pjesa tjetër është kredi. Ne do ta bëjmë siç duhet, sipas nesh, sepse në fund të fundit nuk mundet dot moralisht t’u themi juve ne do ndërtojmë, por do t’ju lëmë një barrë të shlyeni kredinë 20-30 vjet, sado e butë të jetë kredia”, tha Rama.