Kryeministri Edi Rama iu përgjigj disa prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve, gjatë intervistës ekskluzive me “Skype” për News24.
Duke u ndalur te shpërndarja e pensioneve dhe bonuset e qirave, kreu i qeverisë tha se nuk ka asnjë problem për asnjërin prej këtyre shqetësimeve, pasi do të realizohen siç duhet.
Sa i takon mbylljes së fasonerive dhe call-center-ave, kryeministri u shpreh se ata kanë reduktuar numrin e punonjësve dhe mjafton që këta të fundit të ruajnë distancën dhe të zbatojnë rregullat dhe nuk ka asnjë problem, duke shtuar se virusi nuk shpërndahet në ajër, por nga kontakti.
Pjesë nga intervista:
Sot marrin pension në bankë rreth 50 mijë persona në Shqipëri, si do t’i ndajë qeveria pensionet e tjera?
Këtë kemi marrë përsipër dhe këtë do të bëjmë. Do t’i ndajmë në këmbë.
Basha iu bëri thirrje të shpallni fatkeqësinë natyrore, e keni konsideruar?
Kjo është ajo thirrja që vjen gjithmonë në të gjitha herët dhe për të gjitha rastet, por sic ndodhi dhe me tërmetin, apo herët e tjera, ne e dimë shumë mirë punën tonë dhe do ishim shumë të lumtur të na vinte ndonjë thirrje që na ndihmon, jo thirrje që na pengon.
Si do të përballohet situata, për personat që nuk kanë marrë bonusin e qirasë?
Nuk ka asnjë problem, do ta marrim. Nuk ka asnjë problem, askush nuk i lëviz ata nga shtëpia dhe asnjë qiradhënësi nuk do t’i mungojë qiraja.
Si do të vijohet, a do ketë shtim të numrit të analizave?
Sic e kemi menduar, kjo është diçka që i takon ekspertëve dhe unë i mbështes. Ekspertët e facebook, të partive apo të klubeve televizive të mbrëmjes nuk janë fare në fokusin tim dhe nuk jam këtu për t’i konsideruar apo për të komentuar fjalët e tyre. Ne do vazhdojmë punën, mbështetur te Komiteti i Ekspertëve.
A është konsideruar mbyllja e fasoneve dhe call center-eve, si do të veprohet?
Përgjigjja është që në vende ku disiplina e centralizuar e një aktiviteti është e mundur mjafton që njerëzit të respektojnë rregullat, të mbajnë distancë. Kemi parë që janë reduktuar vendet e punës në një hapësirë për të krijuar më shumë distanca. Njerëzit nuk duhet t’i japin dorën njëri-tjetrit, të zbatojnë rregullat dhe nuk ka asnjë problem. Virusi nuk shpërndahet në ajër, por nga kontakti.