Kryeministri, Edi Rama në një intervistë për Euronews Albania ka deklaruar se ende nuk e di se sa do të zgjasin masat kufizuese që janë marrë për coronavirusin. Z. Rama nga ana tjetër tha se numri i testeve po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së dhe aktualisht jemi në mesataren e vendeve të rajonit.
“Testimet po kryhen sipas rekomandimeve të OBSH-së. Zvicra që është një nga vendet më të pasura dhe që ka një nga sistemet më të mira shëndetësore në botë, ka vendosur të mos testojë nën 65 vjeç dhe testet t’i kryejë për ata që janë në situatë kritike. Jemi në mesataren e rajonit sa i takon testeve. Askush nuk e ndalon dot virusin do të përhapet, do ta bëjë të veten siç thuhet në gjuhën popullor por ne vetëm mund ta reduktojmë masën e përhapjes”, theksoi kreu i qeverisë.
Për masat financiare për të prekurit nga këto masa, Kryeministri theksoi se do të bëhet gjithçka që atyre që nuk kanë shkuar në punë nga COVID-19, t’u kompensohet çdo ditë.
“Shqetësim tani është paga e atyre që janë në shtëpi. por duhet të kenë besim sepse po ndërtojmë instrumentin financiar për të kompensuar çdo ditë të humbur nga puna, jo për shkak të tyre, as kompanisë as qeverisë por për shkak të luftës”, theksoi z. Rama gjatë intervistës.