Qeveria shqiptare do të mblidhet nesër për herë të parë lidhur me masat mbi korona virusin. Lajmi për mbledhjen e Këshillit të Ministrave nesër në mëngjes në orën 09:00 konfirmohet nga burime për mediat në vend.Në 25 shkurt, qeveria shtoi 1 milion dollarë në buxhetin e spitaleve për të rritur stokun e mjeteve të mbrojtjes personale në struktura, siç janë maskat mbrojtëse apo dezinfektues për duart e doreza. Prej disa javësh strukturat e shëndetësisë janë në gatishmëri, po ashtu edhe kontrollet në pikat kufitare, por fatmirësisht deri tani nuk është shënuar asnjë rast. Ministria e Shëndetësisë kërkoi sot që qytetarët që vijnë nga zonat e prekura të vetëkarantinohen për 14 ditë.Por duket se qeveria nuk do të mjaftohet me kaq, pasi alarmi në Itali, sidomos pas vendimit të sotëm të kryeministrit Conte për bllokimin e lëvizjes në Lombardi dhe 14 provinca do të rrisë akoma më shumë masat edhe në vendin tonë duke pasur në konsideratë faktin që fluturimet vijojnë normalisht.
Partia Demokratike i kërkoi qeverisë që të shpallë gjendjen e emergjencës dhe Presidentit Ilir Meta të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.Gjithashtu Presidenti Ilir Meta kërkoi që të merret si një masë parandaluese ndaj korona virusit, aplikimi i “Zonës së Kuqe”, njësoj si në Itali me zonat e prekura si dhe duhet rritur fondi i përcaktuar nga qeveria për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes për personelin mjekësor.