Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas ka reaguar pasi Komisioni Evropian rekomandon çeljen e pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Në një deklaratë për median Mass deklaroi se Komisioni Evropian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë dhe se dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat e rëndësishme.
“Komisioni Evropian i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsëri një dëftesë të mirë. Të dy vendet kanë bërë progres të qartë në reformat e rëndësishme – para së gjithash në forcimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ne ndajmë vlerësimin pozitiv të Komisionit të BE-së. Për këtë arsye ne do të angazhohemi në rrethin e BE-së për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit me të dy vendet. Negociatat e anëtarësimit janë instrumenti më i mirë për t’u dhënë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mbështetjen më të mirë të mundshme dhe për t’u kërkuar atyre progres të mëtejshëm.
Pa një sinjal inkurajues të BE-së, ne do të rrezikonim përparimin e madh të viteve të fundit. Kjo do të dëmtonte interesat e BE-së dhe të Gjermanisë. Ne kemi nevojë për shtete ligjore demokratike, të qëndrueshme dhe efikase në Ballkanin Perëndimor.”– tha Mass.