Deklarata për median e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore z.Damian Gjiknuri ka folur pas takimit të zhvilluar me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë dhe ka theksuar se synimi i komisionit është arritja e një marrëveshje për të gjitha çështjet.
Pyetje: Z. Gjiknuri, nuk do mbyllet dot reforma brenda datës 15 Mars? Gjiknuri: Ka një keqkuptim këtu. Në 15 Mars synimi është që të arrijmë një marrëveshje për të gjitha çështjet. Jo se duam të shtyjmë afatin e 15 Marsit, por nëse është e nevojshme të shtyhet 2-3 ditë është krejt normale, e rëndësishme është produkti, se 15 Marsi nuk është një datë arbitrare që është e palëvizshme. Ajo çka thamë është që, ne në pjesën e mbetur të bëjmë përpjekje për të gjitha çështjet që mund të kemi diskutim, të gjejmë konsensus deri më 15 Mars, pastaj do të marrë disa ditë zbardhja e drafteve dhe aprovimi në Parlament, kjo është një procedurë parlamentare. Kështu që, e rëndësishme është që interesi është goxha i lartë, u theksua edhe nga përfaqësuesit e huaj që rëndësia që ka Reforma Zgjedhore dhe e rëndësishme është që palët të bëjnë kompromis, dhe në fund të fundit unë mbajta të njëjtin qëndrim që ka mbajtur gjithmonë mazhoranca: që jemi të gatshëm për kompromis, për çdo propozim i opozitës që nuk vë në dyshim Kushtetutën e Shqipërisë, nuk çakordon të gjithë kuadrin institucional shqiptar në funksion të zgjedhjeve, sepse nuk mund të vësh në pikëpyetje të gjithë shtetit shqiptar në funksion të zgjedhjeve dhe së treti që propozimet të jetë në linjë me standarde me OSBE/ODIHR dhe të realizueshme, pra të jenë të implementueshme.
Pyetje: Z.Gjiknuri kujt propozimi i referoheni ju kur thoni se është një propozim vë në pikëpyetje të gjithë funksionimin e shtetit. Për cilën propozim të PD i referoheni? Gjiknuri: Nuk dua të ndalem këtu, po ka shumë propozime sikur e gjithë bota rrotullohet vetëm tek një proces zgjedhor apo p.sh. të frenohet procesi i Vettingut. Këto janë çështje që Kushtetuta nuk i parashikon, pra janë gjëra që ne duhet të jemi të arsyeshëm në atë çfarë kërkojmë, sepse ka pasur shumë propozime aty që edhe janë parë nga Partia Demokratike edhe janë ri-parë më vonë, pra është hequr dorë, po unë nuk dua të komentoj. Siç ishte roli i Prokurorisë për disa çështje që nuk janë detyrë e prokurorisë apo rolit të Policisë për çështje që nuk janë detyrë e policisë. Por unë nuk dua të ndalem, pasi ato janë çështje që po diskutohen. Ka një frymë kompromisi, mund të them që kemi gjetur një hapësirë të përbashkët për të bërë kompromise në shumë çështje, mbetet që ditët fundit të zgjidhim disa probleme kryesore, siç është de-politizimi i administratës zgjedhore apo departizimi, sa do ta përfshijmë teknologjinë në zgjedhje, Kolegji Zgjedhor dhe probleme të tjera, që besoj se ne do të gjejmë një dakordësi shumë shpejt.
Pyetje: Për sa ipërket qeverisë kujdestare, e ka përsëritur sërish PD si kërkesë? Gjiknuri: Qeveria kujdestare, e kam thënë dhe më parë, nuk është çështje e kësaj tryeze. Mos ma bëni më këtë pyetje. Qeveria kujdestare është çështje kushtetuese dhe është marrëveshje politike. Unë nuk di që qeveria të ketë një vullnet që të shkojë në qeveri teknike se e kërkon Partia Demokratike, pra janë gjëra të stër-konsumuara dhe unë nuk besoj se duhet ti rikthehem më kësaj çështje.
Pyetje: Z.Gjiknuri a besoni se kompromisi është i arritshëm? Gjiknuri: Unë besoj se nëse ka vullnet dhe PD siç thotë populli, “të vijë me këmbë në tokë” për disa gjëra, kompromisi është shumë i arritshëm. Pra të kërkojë gjëra që janë të bëshme, gjëra që janë të realizueshme, gjëra që bëjnë sens dhe janë në përputhje me standardet ligjore ndërkombëtare. Unë besoj që kompromisi është shumë i mundshëm dhe ne jemi të gatshëm ta ofrojmë atë. Pyetje: Z.Gjiknuri keni ju një propozim lidhur me përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, meqë është një nga çështjet që do të diskutohet? Gjiknuri: Ne kemi mbështetur propozimin e ekspertëve teknik, pra i qëndrojmë atij propozimi dhe na duket shumë i arsyeshëm, shumë praktik për sa i përket adresimit të problemit zgjedhor dhe thashë që presim propozimin e PD. Nëse ka vërtet gjëra që bëjnë sens dhe adresojnë dhe rekomandimet e ODIHR që është përgjithësisht de-politizim, de-partizim i administratës zgjedhore, do ta pranojmë pse jo?!