Rektori i Universiteti të Tiranës, Mynyr Koni tha sqaruar studentë se si do të vijohet me procesin e studimeve të tyre. Ai tha se po punohet që leksionet të jepen online në ditët e vetëkarantimit. Koni sqaroi se stafet teknike të UT po punojnë për identifikimin e platformave online për vazhdimin dhe zhvillimin e procesit mësimor. Brenda javës së ardhshme, në bashkëpunim me dekanët e fakulteteve, përgjegjësit e departamenteve, personelin akademik dhe autoritetet administrative, ta mundësojmë këtë gjë dhe t’i japin zgjidhje procesit të mësimit online.
Koni gjithashtu bën thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi deri në normalizimin e situatës.
Njoftimi i plotë.
Të dashur studentë të Universitetit të Tiranës,
Të nderuar kolegë dhe punonjës të UT,
Së pari ju përshëndes dhe dëshiroj të jeni sa më mirë ju dhe familjarët tuaj, dhe e gjithë kjo situatë të kalojë sa më shpejt!
Në këto ditë kaq të vështira për popullin tonë, tashmë në prag epidemie të shkaktuar nga COVID 19, e cila ka prekur mbarë Evropën dhe Botën në përgjithësi, sikurse dihet, është shtuar edhe numri i të infektuarve me këtë virus. Specialistët e kësaj fushe deklarojnë se ditët dhe javët në vazhdim do të jenë edhe më të vështira.
Në këto kushte, ju kërkoj që të gjithë së bashku, të zbatojmë rregullat dhe masat ekstreme që Qeveria ka marrë; të gjithë së bashku të tregojmë qytetari ekstreme; të bëhemi ne shembulli pozitiv për të tjerët, duke ndihmuar në këtë mënyrë jo vetëm veten dhe familjarët tanë, por të gjithë bashkëkombasit tanë!
Dhe kur jemi të gjithë bashkë, patjetër që do t’ja dalim! Me besim, kurajo dhe forcë, patjetër që po!
Dhe në fund dua të njoftoj të gjithë studentët e Universitetit të Tiranës se stafet teknike të UT po punojnë për identifikimin e platformave online për vazhdimin dhe zhvillimin e procesit mësimor.
Jam shpresëplotë që brenda javës së ardhshme, në bashkëpunim me dekanët e fakulteteve, përgjegjësit e departamenteve, personelin akademik dhe autoritetet administrative, ta mundësojmë këtë gjë dhe t’i japin zgjidhje procesit të mësimit online.
Edhe një herë ju uroj shëndet ju dhe familjarëve tuaj, për ta kapërcyer sa më mirë dhe sa më shpejt këtë situatë realisht të vështirë!