“Programi i Rindërtimit është një mundësi e madhe për t’i dhënë ekonomisë një shtytje të re dhe për ta bërë Shijakun një destinacion shumë më të vizituar, pjesë e të gjithë sezonit turistik”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama. Në një takim me banorë të Shijakut mbi Programin e Rindërtimit, Kryeministri u shpreh se “Nëse Shijaku mori një pamje tjetër dhe u bë shumë i pëlqyeshëm me ndërhyrjen në kuadër të Rilindjes Urbane me investimet për sheshi dhe disa rrugë, rindërtimi do ta bëjë Shijakun një destinacion shumë më të vizituar, pjesë e të gjithë sezonit turistik, sepse do të jetë një qytet komplet tjetër”, tha Rama.
Ai theksoi se 90% e pallateve ekzistuese në Shijak do të rindërtohen nga e para dhe mjediset e tyre tregtare, kafenetë, baret, restorantet dhe pikat e shërbimeve do të kenë kualitet tjetër, ku pjesëtarët e familjeve në emigracion do investojnë. “Vetvetiu shumë turistë do të preferojnë të vijnë këtu për të kaluar pasditen apo një darkë. Kjo kujtdo mund t’i duket ëndërr, por çdo ëndërr që e sheh me sy hapur, po pate vullnetin t’i shkosh nga prapa e të sakrifikosh e arrin. Kështu u dukej e pamundur për Belshin, jo atyre që e kanë zakon të thonë vetëm keq, por edhe atyre që ishin pjesë bashkë me mua e kësaj përpjekje. Sot Belshi është një qytezë turistike falë gjithë ndërhyrjeve që kemi bërë. Kështu thoshin për Pukën, që sot është një qytezë turistike”, tha Rama. Kryeministri theksoi se “ne do të shkojmë duke rritur ekonomikisht përmes turizmit, sepse nuk është vetëm riparimi i dëmeve të tërmetit, por edhe platforma e zhvillimit të mëtejshëm ekonomik për familjet”. “Familjet do të kenë një ekonomi më të mirë, pasuri me më shumë vlerë dhe do të kenë hapësirë nga pikëpamja e frymëmarrjes ekonomike. Kjo do të shërbejë edhe për vendin se është një shumë e madhe që futet në ekonomi, një mundësi e madhe financiare falë suksesit në Bruksel, që të zgjerojmë kapacitetet tona investuese dhe ne po punojmë për një plan zgjerimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në Shijak do të ngrihet kantieri më i madh i rindërtimit. “Të gjitha pallatet e vjetra do të ikin nga sytë dhe në vend të tyre do të ndërtohet një gjë komplet tjetër. Nuk do të njihni qytetin tuaj. Nëse nuk do të kenë mbaruar para zgjedhjeve, do të jenë aty para syve tuaj duke u mbaruar ose duke vazhduar të gjitha këto godina në kantieret e reja”, iu drejtua Rama banorëve. Kryeministri vlerësoi veçanërisht angazhimin e kryetarit të bashkisë Shijak, Elton Arbana. “Nuk e kam pritur që kryetari juaj i bashkisë të jetë vërtetë kaq i përkushtuar dhe kaq i zoti në punë. Puna që u ra kryetarëve të bashkive në zonën e tërmetit është shumë e vështirë, pasi duhen shumë forca për të koordinuar, shumë njerëz që duhen motivuar për të bërë gjithë këto plane e projekte. Jam realisht shumë i surprizuar nga korrektesa, respektimi i gjithë afateve prej tij. Këta vijnë te unë në raport 2 herë në javë dhe çdo ditë te Ministri i Rindërtimit. Më vjen shumë mirë që në Shijak ne kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë dhe ju keni një kryetar bashkie që jo vetëm ju ka qëndruar afër, por ka një sens shumë strikt të organizimit të punës dhe përgjegjshmëri shumë të respektueshme për çdo punë që bën”, tha Rama.