Juventusi ka “gjetur” një Cristiano Ronaldo të shkëlqyer, pas disa vështirësive në fillim të vjeshtës. Pas 11 golave radhazi në Serie A, Fabio Paratici shpreson që ylli portugez të vazhdojë të shënojë edhe në Ligën e Kampionëve. Mbrëmë nuk ia doli ndaj Lyon, në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, kur bardhezinjtë humbën 1-0. Për mikrofonët e “Sky Sport”, Paratici rikujtoi kalibrin e 35-vjeçarit dhe “thumboi” indirekt futbollin italian: “Cristiano është më i miri i të gjitha kohërave. Jemi me fat që e kemi në kampionatin tonë. Shpesh harrojmë që e kemi atë në Serie A. Të gjithë duhet ta shijojmë pak më shumë…”
Paratici, gjithashtu u përqendrua te Champions-i, ku sheh një grup ekipesh favorite për triumfin, si dhe te gara e titullit në Serie A: “Ka ekipe të kompletuara për ta fituar Ligën e Kampionëve. Ne kemi një ekip konkurrues dhe do të përpiqemi të fitojmë. Detajet dhe forca e lojtarëve janë të rëndësishme në këtë kompeticion. Sa i takon Serie A, do të bëjmë gjithçka për të fituar edhe titullin e nëntë, të dhjetë radhazi. Do të përpiqemi të shkojmë përtej statistikave”.