Ermal Dredha është një ndër diplomatët e rinj të këtij shërbimi, ku rini quhet mosha 40-50 vjeç. Siç dhe e kërkon ky profesion, ku heshtja është tregues mençurie, pak dihet për asetet që Shqipëria disponon. Zoti Dredha është një ndër ata. Është njeriu hije i cili mundësoi dhurimin e një shifre për të dëmtuarit nga tërmeti, që i surprizoi të gjithë. Megjithatë ai është modest. Dritare.net arriti të bashkëbisedojë me të. Dritare.net: Kush është Ermal Dredha dhe ku ka shërbyer më parë! Ermal Dredha: Prej vitit 2002, jam bërë pjesë e Shërbimit të Jashtëm të RSH-së. Gjatë këtyre viteve kam shërbyer në sektorë të ndryshëm, por vlen të përmend, Pozicionin e Drejtorit të Protokollit të Shtetit, më pas Konsull i Përgjithshëm në Bari, Itali dhe prej muajit qershor 2016, shërbej si ambasador i RSH-së në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe Dritare.net: Prej sa vitesh jeni ambasador në Emiratet e Bashkuara? Ermal Dredha: Ky është viti i katërt në Emiratet e Bashkuara. Sa i përket përshtatjes së një diplomati që shërben në një vend të botës arabe, mund të them pa hezitim, se kur bëhet fjalë për përshtatjen me terrenin dhe rregullat e vendit pritës, koha është disi më e gjatë. Kjo është e lidhur ngushtë me një sërë faktorësh, por mund përmend traditën dhe rregullat tepër të veçanta që mbizotërojnë në këto vende. Patjetër, rezultatet e punës sonë janë të lidhura ngushtë me strategjinë e ndërtuar dhe atë çka dëshirojmë të promovojmë në nivelin e marrëdhënieve dypalëshe ashtu dhe në bashkëpunimin me përfitim reciprok në organizatat ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.
Dritare.net: Cilat janë marrëdhëniet që keni me ketë vend dhe vendet që mbuloni ju? Ermal Dredha: Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve tona janë vendosur zyrtarisht më 1 qershor të vitit 1992, ndërkohë që në vitin 2010, Shqipëria ka vendosur selinë e saj diplomatike në Abu Dhabi. EBA-të na mbulojnë nga ambasada e tyre në Athinë. Federata e EBA u krijua më 2 dhjetor 1972, me bashkimin e shtatë emirateve, duke shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe. Në mënyrë unanime u vendos që qendra administrative të ishte Abu Dhabi, (praktikisht, Emirati më i pasur me burime natyrore, nafte). EBA-ja nuk ka parti politike. Sunduesit mbajnë pushtetin mbi bazat e pozicionit të dinastisë dhe legjitimitetit të tyre në një sistem me konsensus fisnor. Vizioni tepër i qartë dhe ambicioz, i ka bërë emiratet të jenë liderë në rrugën drejt shtetndërtimit, duke qenë një shembull i gjallë i zhvillimit të qëndrueshëm, duke e kthyer vendin ne një atraksion turistik, (kemi parasysh që vetëm 30 vjet më parë, ka qenë shkretëtirë ) si dhe duke u bërë një nga qendrat më të rëndësishme financiare në tregun botëror. Feja ka një rol të rëndësishëm në ritualin e përditshëm, por pa ndikim në vendimmarrjen institucionale. Kjo gjë, i ka rreshtuar Emiratet mes vendeve më moderne në botën arabe dhe jo vetëm, duke qenë promotor i promovimit të vlerave dhe bashkëjetesës fetare. EBA-të janë një nga shtetet me të sigurta në bote. Në 9 milionë banorë, 8 milionë prej tyre janë të huaj. Vetëm një vit me parë, në muajin mars 2019, EBA-ja u bë vendi i parë në vendet e gjirit që rezervoi një pritje madhështorë për Papa Françeskun, një moment historik që rikonfirmoi edhe njëherë rolin e EBA-së në promovimin e tolerancë dhe bashkëjetesës fetare.
Sa i përket marrëdhënieve tona me EBA, mund të përmend se ato gëzojnë një nivel shumë të mirë, të reflektuara qartë si në bashkëpunimin dypalësh dhe politiko-ekonomik, ashtu edhe në mbështetjen reciproke me përfitim të ndërsjellë në Organizatat Ndërkombëtare ku bëjmë pjesë.
EBA, nëpërmjet fondit të Abu Dhabi për Zhvillim (ADFD) kanë dhënë një ndihmë të vazhdueshme në zhvillimin e disa projekteve të rëndësishme në Shqipëri, ku mund të përmend kredinë e butë dhënë për ndërtimin e tunelit të Autostradës Tiranë-Elbasan; projekti i Zgjatimit të Bulevardit të Tiranës përfshi pastrimin e shtratit të Lumit të Tiranës. Jemi në bisedime për të marrë një tjetër mbështetje në formë bashkëfinancimi për disa projekte të propozuara nga pala jonë, por që presin miratimin e palës emiratase.
Një tjetër projekt interesant është edhe në sektorin e energjisë, ku po shihet mundësia të investohet një teknologji e avancuar, me panele diellore që vendosen në sipërfaqe ujore. Ky projekt kap shifrën e 60 milionë euro.
Disa projekte të tjera janë nën negocim, por referuar politikave të kompanive të përfshira, nuk mund të bëhen publike deri momentin merr formë nga të dyja kahet. EBA-të kanë dhënë një kontribut të çmuar në ndihmë të vëllezërve tanë kosovarë, gjatë konfliktit me Serbinë në 1999, ku ndihma e tyre ka qenë shumë e rëndësishme, përfshirë ndërtimin e pistës së Aeroportit të Kukësit, e cila jo pa qëllim ka marrë emrin e Shiekh Sulltan Bin Zayed Al Nahyan (për nder të ish-presidentit të EBA-së, i cili nuk jeton më). Aktualisht, Shqipëria është duke u përgatitur të marrë pjesë në EXPO Dubai 2020-21. Çelja zyrtare e këtij eventi 6-mujor, do të fillojë në javën e tretë të muajit tetor. Ky është një aktivitet tepër ambicioz i EBA, ku do të marrin pjesë 192 shtete, mes tyre dhe Shqipëria. Jam krenar që kam qenë pjesë e negociatave me organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm, ku arritëm të marrim një mbështetje për pjesëmarrjen, thuajse me kosto zero. Jam i bindur që prezenca e Shqipërisë në këtë aktivitet, do të ketë një impakt të padiskutueshëm, sa i përket promovimit të mundësive që ofron vendi ynë si destinacion për investitorët e huaj; të vlerave, bukurisë dhe traditës sonë si komb, krijimin e një networku që mund të hapë horizonte apo mënyra bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm.
Dritare.net: Emiratet e Bashkuara akorduan një shifër surprizë për të dëmtuarit nga tërmeti. Si është strukturuar ajo, si ndihmë, grant, kredi, dhe me çfarë përqindjeje? Ermal Dredha: Në fakt, ndihëm shumë i lumtur dhe i privilegjuar të përfaqësoj vendin tim në Emiratet e Bashkuara, duke parë edhe qasjen e që ky vend tregon drejt Shqipërisë. Pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019, reagimi zyrtar i EBA-së ka ardhur që ditën e nesërme të tragjedisë, duke akorduar 13 milionë Derham ( ekuivalent i 3.25 milionë euro), në mbështetje të vendit tonë, si ndihmë për të përballuar fazën e parë pas tërmetit. Kjo shumë ishte e kombinuar në forme ndihme mjekësore ( medikamente), çadra për kohë dimri, ushqime, veshmbathje, etj, të cilat u menaxhuan nga Emirates Red Crescent (Gjysme Hëna e Kuqe e Emirateve), ku ka dhe një zyrë përfaqësimi në Tiranë në koordinim me grupin e Emergjencave në Shqipëri. Ndërkohë, me kërkesë dhe orientim të qeverisë shqiptare, gjithë përfaqësitë tona diplomatike, vijuan kontaktet si dhe përcollën pranë vendeve mike, një pasqyrim më të qartë të situatës së post-tërmetit. Siç jeni në dijeni, strukturat ndërkombëtare (Bashkimi Evropian, OKB-ja dhe Banka Botërore) në koordinim të plotë me qeverinë shqiptare vendosen të mbahej Konferenca e Donatoreve në Bruksel më datë 17 shkurt 2020, në ndihmë të përballimit të krizës. Kjo datë në fakt, dukej disi e largët por duke patur parasysh se organizmat e sipërcituara vendosën në dipozicion ekspertizën e tyre në mbështetje të strukturave shqiptare, për të bërë një skanim të plotë të situatës ( i cili nuk mund të ndodhte brenda pak ditëve), dhe të hartohej një raport i detajuar mbi dëmet që la pas tërmeti.
Ambasada e RSH-së, ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Jashtme në EBA, të cilët kanë treguan gatishmërinë e tyre, se ky vend mik, do të vijojë ndihmën edhe në një fazë të dytë, gjë e cila na bënte optimistë të mendonim se EBA-të kishin lënë një dritare hapur për të kontribuar edhe më tej për fazën e rindërtimit. Në Konferencën e Donatoreve, EBA-të u përfaqësuan nga ambasadori i tyre në Bruksel, Belgjikë, i cili komunikoi zyrtarisht vendimin e qeverisë së EBA-ve duke akorduar 70 milionë euro në formë granti ( dhuratë). Kjo në fakt, ishte shuma më e madhe e dhënë nga një shtet i vetëm, gjë qe tejkaloi gjithë parashikimet tona, edhe pse ishim shumë optimistë për mbështetjen e tyre.
Kjo shifër parashikohet të mbuloje ndërtimin e 1000 ( një mije) shtëpive të reja, në ndihmë të familjeve që kane mbetur pa strehë pas tërmetit.
Mënyra se si do të menaxhohet kjo shumë, mundet të them se ministri për Rindërtim, z. Arben Ahmetaj bashkë me grupin e punës, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me autoritetet emiratase për të vijuar me hapat e mëtejshëm, gjë e cila do të ndihmojë në finalizmin transparent të këtij procesi. Dritare.net: Ishte i lodhshëm lobimi për të siguruar këtë shifër?Ermal Dredha: Në fakt, dua të sqaroj se kjo nuk është punë e një personi të vetëm, por e një zinxhiri me qasje disavjeçare, ku kontributi i shkon absolutisht edhe ambasadorëve që kanë shërbyer para meje në EBA, sikurse edhe e institucioneve shqiptare duke na krijuar edhe një kuadër ligjor nëpërmjet marrëveshjeve të firmosura, që promovojnë forcimin e marrëdhënieve mes vendeve tona. Nuk besoj se ndonjë koleg mendon apo shprehet se faza e lobimit është e lodhshme, por duke parë situatën ekonomike globale, mund të them që është paksa e sikletshme, të trokasësh në dyert e kancelarive, edhe kur ekziston një miqësi shumë e fortë, e të jesh në pozitat e palës që kërkon ndihmë. Edhe kur brenda vetes mendon qe ekzistojnë mundësitë për një reagim pozitiv, (këtu kam parasysh vendin ku shërbej), e vetmja gjë që të shtyn të jesh pa skrupuj ( ndoshta nuk po gjej fjalën e duhur), është kur shikon gjithë atë dhimbje dhe shkatërrim në sytë e bashkëkombësve të tu. Kjo të jep forcë dhe kurajë, të trokasësh në çdo derë dhe të marrësh ç’të mundesh për të kthyer besimin dhe shpresën, se e nesërmja do të jetë më e mirë.
Takimet dhe komunikimet kanë qenë të shpeshta, të shoqëruara me plot të panjohura, siç mund edhe të kuptohet, por secila pale ka patur rolin e vet në arritjen e objektivit (këtu kam parasysh, letrat zyrtare të qeverise drejtuar homologeve, takimet, rolin e departamentit të Evropës në MPJ të EBA, puna e ambasadorit të tyre në Athine e kështu me radhë). Dritare.net: Cili ishte roli i kryeministrit Rama? Ermal Dredha: Në fakt, nëse i referohemi historisë, nuk mbaj mend që betejat që kanë lënë gjurmë, të identifikohen pa prijësit e tyre. Edhe në këtë rast, nuk mundet kurrsesi të anashkalohet roli i kryeministrit Rama. Ky në fakt është një konstatim real dhe ndihem krenar që një figurë e tillë të përfaqësojë Shqipërinë në Arenën Ndërkombëtare. Roli i Ambasadës ishte të mundësonte me patjetër takimin e kryeministrit Rama me Lartësinë e Tij, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dhabi & Zëvendëskomandant Suprem i Forcave të Armatosura të EBA. Ndërkohë që pjesa tjetër dhe vendimtare, erdhi si rezultat i këtij takimi. Jo pa qëllim e përmenda emrin e plotë të këtij lideri, i cili ka një peshe specifike, ku njihet botërisht si një person me tepër influencë, jo vetëm në politikat vendore e rajonale por edhe në arenën ndërkombëtare, si në aspektin politik ashtu dhe atë ekonomik. Nëse do të komentoj më tej, EBA-të janë një vend ku çdo gjë e ka zanafillën të raporti njerëzor. Nëse nuk vendoset një raport besimi mes liderëve, është thuajse e pamundur të transmetohen rezultate pozitive ne çdo aspekt, përfshi fushat me interes përfitimi reciprok mes vendeve.
Në këtë kontekst, ndihem krenar të ndaj me ju, që të isha pjesë e këtij takimi shumë vëllazëror mes kryeministrit Rama dhe Sheikut Mohamd Bin Zayed al Nahyan, dhe e them me besim të plotë, që fryma pozitive në nivel personal e me baza të forta besimi të ndërsjellë, pati një impakt determinues e të padiskutueshëm në atë çka dëshmuam më datë 17 shkurt 2020. Realisht, i jemi shumë mirënjohës EBA-ve dhe shpërblimi i vetme, është të na jepet mundësia e të tregojmë se Shqipëria është dhe do të mbetet një partner i besueshëm dhe një mik shume i çmuar për EBA-të në rajonin e Ballkanit, por dhe më gjerë. Dritare.net: Si i shikoni në të ardhmen marrëdhëniet me vendet e gjirit dhe ku mendoni se duhet te përqendrohemi? Ermal Dredha: Ne gëzojmë marrëdhënie shumë të mira me thuajse të gjitha vendet e Gjirit ku vlen të theksoj se RSH-ja ka 4 ambasada (në Saudi, Kuvajt, Katar dhe në EBA). Shqipëria është kontributore dhe partnerë e besueshme si pjesë e aleancës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Shqipëria ka si moto promovimin e marrëdhënieve të qëndrueshme në nivel politik me të gjitha vendet; mosndërhyrjen në punët e brendshme të asnjë shteti në veçanti; krijimin e hapësirave për forcimin e kuadrit ligjor me vendet, i cili ndikon drejtpërdrejte në tërheqjen dhe sigurinë e investimeve nga të dyja kahet; promovimin e paqes si një vlerë e pazëvendësueshme në botën ku jetojmë. Gjithë këto komponentë e bëjnë Shqipërinë një partnere kredibël. Forcimi i marrëdhënieve ekonomike, ndikon pa diskutim edhe në konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në këtë kontekst, shihet si parësore rritja e marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare me këto vende. Mundësitë për të thithur investime nga vendet arabe janë shumë të larta, por duhet të kuptojmë që edhe gara dhe oferta e vendeve në rang global, është shumë e lartë. E vetmja mundësi për të patur një qasje fituese, është ndërtimi i një strategjie të dedikuar me propozime e projekte konkrete, të cilat mund të tërheqin ndjeshëm vëmendjen e investitorëve nga këto vende. Gama e sektorëve është e madhe, por mund të përmend: sektorin i turizmit; energjisë; transporteve; minierave, fasonerisë; si dhe patjetër, industria e ushqimit (bujqësi, blegtori). Kjo e fundit, shkon për shtat me politikat e EBA-ve, ku vitet e fundit i kanë dhënë një rendësi të veçantë politikave të Sigurisë Ushqimore, dhe vijojnë të mbeten në kërkim të hapësirave dhe partneriteteve të reja.
Çdo investitor i huaj kur është duke eksploruar destinacione të reja për të invesituar, fokusin kryesor e ka të lidhur ngushtësisht me sigurinë në investim dhe sistemin e taksave që ofron vendi pritës. Nëse këto janë të konsoliduara, ateehre gjithçka është më e lehtë dhe suksesi është i sigurt nga të dyja kahet. Në rastin konkret, EBA-të janë prezente me investime strategjikë në disa vende të Rajonit Ballkanit, dhe shpreh bindjen e plotë se prezenca e tyre do të jetë shumë më e madhe edhe në Shqipëri. Vendet arabe dhe jo vetme, e shohin Ballkanin si një treg të vetme, dhe pashmangshmërisht gjithëpërfshirës në planet e tyre afatgjata. Jam besimplotë se jemi në rrugën e duhur. Faleminderit!