Akti Normativ i miratuar nga Këshilli i Ministrave në kuadër të luftës kundër COVID-19, alokon një fond prej 2.5 miliardë lekësh drejt financimit të sektorit të shëndetësisë për blerje pajisjesh, medikamentesh dhe materialesh mjekësore.
“2.5 miliardë lekë fond në mbështetje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturave spitalore, për të siguruar furnizimin me medikamente, aparatura dhe urgjenca të ndryshme dhe në mbështetje të stafeve mjekësore”, përcakton Akti Normativ.
Numri i qytetarëve të prekur nga infeksioni COVID-19 që po marrin trajtimin mjekësor në spitalin infektiv po rritet. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se po bëhemi gati të hapim spitalin COVID 2 në Tiranë, spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, ku aktualisht po merren masa për krijimin e hapësirave dhe kushteve të nevojshme.