Me mbi 25 mijë raste me koronavirus pozitiv (25 493), Shtetet e Bashkuara të Amerikës kaluan Spanjën dhe renditen tani në vendin e tretë për numrin e të infektuarve, pas Kinës dhe Italisë.

Brenda 24 orësh, janë regjistruar afërsisht 8 000 raste të reja. Numri i të vdekurve është 307.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence ka rezultuar negativ në testin për koronavirusin e ri, që e kreu pasi një punonjës i zyrës së tij doli pozitiv.

Rezultatet e testeve të Pence dhe bashkëshortes Karen Pence i bëri të ditur nga llogaria e saj zyrtare në Twitter, Katie Miller, kryekëshilltarja për media e Pence.

“Unë jam e lumtur të njoftoj se që të dyja rezultatet e testit për Covid-19, të Pence dhe bashkëshortes Karen Pence janë negative”, tha Miller në mesazhin e saj në Twitter.

Javën e kaluar edhe presidenti amerikan Donald Trump bëri testin për Covid-19 i cili gjithashtu rezultoi negativ.