“Sot që flasim nga të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është vendi që ka bërë më shumë teste”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.
I pyetur në një intervistë televizive se sa rezervë kemi për teste, Rama tha se, “kemi mjaftueshëm dhe nuk do të na mungojnë asnjëherë deri në fund ato që ne na duhen. Përveç se mund të na mungojnë, siç i mungojnë Italisë dhe siç mund t’i mungojnë dhe vendeve të tjera shumë më të zhvilluara se ne, kapacitetet për të përballuar fluksin e të sëmurëve që kanë nevojë për asistencë sepciale në rast se masat shtrënguese nuk respektohen”.
“Masat shtrënguese nuk e ndalojnë përhapjen e virusit. Masat shtrënguese e ngadalësojnë përhapjen e virusit dhe i japin mundësi sistemit shëndetësor të një vendi që të mund të kujdeset për ata që kanë nevojë për kujdes. Kjo do të thotë që ne si çdo popullsi tjetër do të prekemi 60% – 70% në atë mesatare nga ky virus. Kjo nuk diskutohet dhe nuk e diskuton askush. Por 80% e atyre që do të preken nuk do ta marrin vesh kurrë që u prekën. Në atë 20% që do e marrë vesh 80% do e kalojnë si një grip, ndërsa 20% e tyre do të kenë simptoma më shqetësuese. Dhe në atë grup janë dhe njerëzit, të cilët bëhen për reanimacion, apo larg qoftë, për frymëmarrje të drejtuar, frymëmarrje artificiale. Kjo është arsyeja pse masat shtrënguese janë ilaçi i vetëm që bota njeh sot dhe e pranon botërisht. Nuk ka vaksinë, nuk ka ilaçe të tjera që të bëjnë ndonjë mrekulli deri tani. Por ka vetëm një ilaç botërisht të njohur, ilaçi që ne e kemi marrë nga të parët, që është masat shtrënguese”, theksoi Rama.
I pyetur në lidhje me testet me skan që po bën Franca për të shtuar numrin e personave që testohen, Rama shtoi se, “Franca është monarkia e sistemit shëndetësor publik në botë dhe Franca deri tani të paktën, është në pikën e një halli të madh, që as nuk mund të imagjinohej se mund të gjendej Franca. Pastaj se çfarë bëhet në qendrën shkencore të Strasburgut apo në universitetet amerikane, apo në institucionet e superspecializuara gjermane që më pas dalin në media, këto janë një temë tjetër. Por nëse do të jetë një praktikë që do ta përdorin vendet, ne patjetër nuk do ta lëmë mangut as atë praktikë. Por, nuk mund të merret një praktikë sporadike në një vend të caktuar, qoftë ky dhe Franca, dhe meqë ata e filluan dje, i thuhet Shqipërisë pse nuk e fillon ti sot”.
I pyetur në lidhje me procedurën e re që nxjerr rezultatet për 45 minuta dhe që Kosova ka njoftuar se ka kërkuar ta blejë, Rama nënvizoi se, “ne kemi në plan të zbatojmë planin tonë dhe plani ynë është ai që është bërë publik dhe çfarë janë hapa të tjerë që duhen bërë publike do të bëhen publike kur të jenë gati për t’u ndërmarrë. Ne jemi në luftë dhe në luftë nuk flitet me sikur të bëjmë këtë apo atë. Ne kemi hyrë në këtë luftë shumë të përgatitur për ta përballuar megjithësej, brenda mundësive tona. Meqë e dimë se nuk jemi as Franca, as Gjermania, as Britania e Madhe, që po heqin picirin, sidoqoftë, ne morëm me shpejtësi masat shtrënguese. Në këtë luftë ne kemi veten, kemi njëri-tjetrin, nuk kemi të tjerë. Nëse ne si qytetarë bëjmë detyrën tonë secili dhe nuk ankohemi për fashat orare. Se po të ishin të dukshme bombat dhe avionët, nuk do të dilte njeri të thoshte pse ky armiku na bombardon në orën 1, pse s’na bombardon pak më vonë”.
Rama tha se, “kjo është një luftë e hatashme në vështirësinë e vet, por dhe shumë e hatashme në kollajllëkun e vet. Sepse është një luftë që fiton ai që nuk lëviz kot rrugëve. Pra e thënë me një fjalë, fiton ai që rri në divan, kolltuk apo krevat dhe nuk i ndahet televizorit, nëse s’e ka të domosdoshme të dalë nga shtëpia. Nuk po i kërkohet askujt që të dalë dhe të marrë malet, nuk po kërkohen 28 mijë dëshmorë të tjerë për të çliruar Atdheun. Po kërkohet thjesht dhe vetëm që kur dilet në rrugë të dilet për punë, për ato punë që janë ende të lejuara, sepse janë të domosdoshme, apo për të bërë pazare dhe për të blerë medikamente. Këto janë tri arsyet pse dilet në rrugë. Nuk e kuptoj pse s’mund të rrihet në radhë drejt, të mos grumbullohesh, por të marrësh shënjestër kurrizin e atij që ke përpara dhe të qëndrosh 1 metër minimumi larg tij, të mbarosh punë dhe të ikësh në shtëpi. Kjo është lufta jonë. Nuk kemi asnjë çudi për të bërë. Nuk na kërkohen avionë supersonikë, raketa, armatime të fjalës së fundit, një ushtri e panumërt. Thjesht dhe vetëm na kërkohet që secili të sillet si ushtar në këtë luftë duke zbatuar këto rregulla”.