TIRANË

“Nuk e dimë kur do vijë çlirimi. Vetëm Zoti e di deri kur”. Kështu tha kreu i qeverisë sot para shqiptarëve duke iu referuar situtës së krijuar dhe masave për koronavirusin. Apeli i kryeministrit Edi Rama për shqiptarët për të mos dalë nga shtëpia është përshkallëzuar nga dita në ditë e sot thirrja e tij ka qenë edhe më e fortë. Ose do luftojmë të gjithë bashkë, tha Rama në komunikimin e mbrëmjes së sotme, ose të gjithë bashkë do vdesim dhe si në Bergamo/ Itali nuk do ketë njeri të na varrosë e jo më të na qajë.

Kryeministri tha se kjo është një luftë botërore ku secili është më vete, nuk ka aleanca. Në këtë situatë nga koronavirusi, sipas Ramës si Shqipëria si Amerika gjenden në të njëjtën anije.

“Një armik i rënë mbi kokat e tyre si rrufeja në qiell të pasur i ka zhvlerësuar bombat atomike nëpër depo pa shtretër të mjaftueshëm e pa mjekë të mjaftueshëm.
Për çudinë më të madhe të kësaj bote si Shqipëria si Amerika gjenden në të njëjtën anije në det të hapur dhe kanë një armë të vetme në dispozicion, rezistencën e popujve të tyre. Ka vetëm një fishek unitetin, ka një objektiv atë që ke më afër që duhet ta mbash sa më larg. Është e para luftë ku kazerma është shtëpia dhe ku çdo ushtar duhet të mbyllet në shtëpi. Si ushtria amerikane si ushtria shqiptare kanë të njëjtën forca goditëse, zero. Asnjë aleancë mes shtetesh nuk ekziston. Një luftë botërore ku secili është më vete e Zoti për të gjithë. ndajeni mendjen se në këtë luftë jemi vetëm dhe kemi vetëm njeri-tjetrin. O do luftojmë të gjithë bashkë ose të gjithë së bashku do të biem në humnerë si të shkretët në zonën e Bergamos ku nuk do ketë njeri të na varrosë e jo më të na qajë”, tha Rama.
Ai theksoi se nuk e di kur do mbarojë kjo luftë.

“Pikërisht sepse jemi më të dobët se ata vrapuam më shpejt të mbyllemi në shtëpi. Do vazhdojmë kështu deri kur ky armik të shporret nga vendi ynë. nuk e dimë, nuk e di askush se kur do të vijë dita e çlirimit nga ky makth. Të gjithë e dinë se nuk do vijë as javës tjetër e as pas 2 javësh. Vetëm Zoti e di deri kur. Ju dua shumë dhe ju ndiej si njerëzit e shtëpisë sime por mos më kërkoni t’ju shes iluzione, t’ju mbaj me llafe të bukura, apo se kjo luftë do mbarojë shpejt. Ndajeni mendjen që kjo luftë nuk ka ardhur për t’i dhënë askujt leje të jashtëzakonshme. Nuk janë këto që doni të dëgjoni”, deklaroi Rama.