Gjendja e fatkeqësisë natyrore për shkak të pandemisë së Koronavirusit ka shtyrë për dy javë të gjitha gjyqet e radhës. Mes tyre është edhe procesi i apelimit ndaj funksionarëve të Partisë Demokratike, për paratë e lobimit rus, ku Prokuroria kërkon dënimin e kryeopozitarit Lulzim Basha dhe dy vartësve të tij, për akuzën e falsifikimit.
Gjykata e Apelti Tiranë ka vendosur sot që të shtyjë seancën për kreun e Partisë Demokratike, ish-sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin Ilir Dervishi. Gjyqtarja Fatmira Hajdari vendosi të shtyjë seancën në datën 9 prill, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi. I pranishëm në seancë ishte vetëm Arben Ristani, e ndërsa Basha dhe Dervishi përfaqësoheshin nga avokati.
Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua më 13 janar vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, duke i shpallur të pafajshëm për mungesë provash. Dy vite hetime nga Prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazër Sallaku i cilësoi të pavlefshme, duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim, ndërsa nuk u hetua fare akuza për pastrim parash.
Prokuroria vendosi të apelonte vendimin e shpallur, teksa në dy vjet edhe vetë prokurorët e çështjes patën përplasje mes tyre. Kujtojmë se nuk u mor as dëshmia e lobistit amerikan Nick Muzin, që cilësohej e rëndësishme.