“Integrimi i Shqipërisë dhe i Ballkanit Perëndimor është një ndër gjashtë prioritetet e Austrisë”, deklaroi sot Presidenti i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, në një takim në Tiranë me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. “Ne mbështesim në mënyrë të posaçme integrimin e gjashtë vendeve të Europës Juglindore sepse e konsiderojmë veten pjesë të kësaj zone të Europës. Integrimi i rajonit në BE do të kontribojë në shndërrimin e Europës në një zonë paqeje, mirëqenieje dhe sigurie”, shtoi ai. Sobotka shprehu besimin se skepticizmi i vendeve antërare do vijë duke u zbutur dhe Këshilli Europian do të vendosë çeljen e negociatave me Austrinë në mbledhjen e tij të radhës.

“Ne jemi të qartë për arritjet e reformave të Shqipërisë, të cilat nuk janë qëllim në vetvete, por u shërbjejnë qytetarëve shqiptarë. Marrëdhëniet tona të shkëlqyera burojnë edhe nga miqësia e fortë e tradicionale dhe mirëkuptimi i plotë midis popujve tanë. Ne kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Kuvendin e Shqipërisë dhe ku bashkëpunim do të fuqizohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së sotme, e cila do të afrojë më shumë rininë dhe qytetarët me aktivitetin parlamentar dhe sistemin demokratik në Shqipëri. Demokracia nuk është dhuratë, por një qëllim i madh që arrihet me punë, përkushtim dhe pjesëmarrje e kontribut në zgjedhje dhe sistemin demokratik”, nënvizoi Presidenti Sobotka.

Nga ana e tij, Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Austrisë si edhe bashkëpunimin e ngushtë midis parlamenteve të dy vendeve. “Ne i jemi mirënjohës Austrisë, një prej 4 partnerëve strategjikë të Shqipërisë, si një ndër zërat më të fuqishëm në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë, si një kontribut ndaj konsolidimit të Europës dhe BE-së, dhe mbi qëndrimin e saj për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor, si një prej objektivave kryesore të Presidencës Austriake të Këshillit Evropian (qershor-dhjetor 2018) dhe politikës së jashtme austriake”, tha Ruçi.

Ai vlerësoi angazhimin e kancelarit Kurz për organizimin e Samitit midis Austrisë dhe kryeministrave të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, më 17 mars 2020, ku do të diskutohet mbi procesin e zgjerimit si dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal. “Vlerësoj edhe mbështetjen personale të Presidentit Sobotka, i cili është ndër kryeparlamentarët europian më të angazhuar në kurorëzimin e rrugëtimit europian të Shqipërisë, një lobist, avokat dhe mbështetës i sinqertë dhe fuqishëm i Shqipërisë. Është edhe në saj të kësaj mbështetjeje që Komisioni Europian rekomandoi përsëri me 2 mars çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ne mbetemi të përkushtuar dhe kemi intensifikuar përpjekjet dhe bërë përparim të mëtejshëm në plotësimin e kushteve të vendosura në 2018 nga Këshilli Eeropian”, nënvizoi Ruçi. Ai e informoi homologun austriak se reforma në drejtësi po implementohet në mënyrë të qëndrueshme, jo vetëm me vazhdimin e vetting-ut, por edhe krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat po rindërtohen e bëhen funksionale me shpejtësi.

“Shqipëria ka tashmë një historik të qëndrueshëm përsa i përket luf tës kundër kri mit të orga nizuar dhe bllokimit të aseteve të tij ilegale si edhe luf tës kundër korrupsionit. Reforma zgjedhore dhe reformat e tjera po avancojnë gjithashtu në mënyrë të përshpejtuar. Shqipëria mbështet metodologjinë e re të zgjerimit, si hapi i parë i strategjisë, e cila së bashku me hapjen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do na ndihmojnë ne dhe BE për të rindërtuar besimin dhe për të ecur përpara në një marrëdhënie edhe më të veçantë dhe produktive”, shtoi ai. Ruçi shrehu mirënjohjen për kontributin e Austrisë në përballimin e pasojave të tërmetit dhe kontributin në Konferencën e Donatorëve. Pasi e falënderoi, Presidentin Sobotka për rolin pozitiv të Austrisë për Kosovën, Kryetari Ruçi nënvizoi se Shqipëria ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një promotor i fortë i bashkëpunimit rajonal dhe do të luaj një rol të vazhdueshëm stabilizues në rajon.

“Ne mbështesim dialogun Kosovë-Serbi dhe besojmë se rezultati i këtij dialogu duhet të jetë një marrëveshje ligjore detyruese për njohjen reciproke, antarësimin e Kosovës në OKB dhe BE, trajtimin e minoriteteve mbështetur në Kushtetutën e Kosovës. Shqipëria përshëndet vendimin e qeverisë së Kosovës për të hequr tarifën mbi lëndët e para të importuara nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina si edhe marrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë lidhur me fluturimet direkte midis Prishtinës dhe Beogradit dhe lidhjeve rrugore dhe hekurudhore. Procesi i integrimit evropian mbetet një element vendimtar për paqen dhe prosperitetin e Kosovës dhe të gjithë rajonit. Besojmë se populli i Kosovës meriton liberalizimin e vizave me BE dhe Kosova anëtarësimin në Interpol dhe në Këshillin e Evropës”, vuri në dukje Ruçi. Në fund të takimit u nënshkrua edhe Marrëveshja midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Austrisë për krijimin në Kuvendin e Shqipërisë të “Punishtes së Demokracisë”.