Nga Romelda Bozhani*
Kambanat e kishёs dёgjohen nga larg. Ёshtё ora 18 e mbrёmjes, ora e shtetёrrethimit. Nga kulla e ngujimit shihet si pleqёron dita. Nёse s’do ishte A-ja dhe televizori, A-ja tjetёr dhe sёrish televizori, do mё dukej si njё ditё e zakonshme me aromё pranvere. Nё njё ditё tё tillё, dalldija mё gjen nё kopsht teksa sodis çdo lule e çdo shkurre e me tё gjitha gjasat do mendoja me njё ritёm kaq tё ngadaltё, o zot, sa tё ngadaltё (pse nuk ecёn mendimi kur je i ngeshёm?!), se si natyra tё shpie nё tё tjera dimensione. E do filloja tё numёroja dimensionet: njё dimension, dy dimensione, tri dimensione, pesё dimensione.. .prit, se u ngatёrrova. Filloj nga e para. Ohuuu, mёrzitem edhe me dimensionet e ngrihem tё heq ndonjё gjethe a lule tё tharё andej nga kёndi i karafilave. Meqё dimri as u pa e as u ndje kёtё vit, karafilat e çelur do mё ndёrmendnin kopshtin e dikurshёm tё tezes.
Po, ja, e gjitha kjo s’ndodh. Nё mёnyrё prozaike, unё rri te pragu i kullёs dhe pres A-nё. Mbaj vesh, pёrpёlitem, dihas,mbaj frymёn, fus gishtin nё gojё si gjithmonё kur jam nё ankth, krruaj fytin, krruaj syrin, krruaj kokёn, shtrydh duart, shtrydh trurin, hedh sytё nga dera dhe pёrpiqem tё mos mendoj mё. A-ja mё njofton pёr tё rejat, ato tё paktat herё qё del jashtё e, ka disa ditё, qё nuk mё flet mё pёr shiun qё po vonon. Si njё Kandid i mendueshёm, hedh sytё andej nga ullinjtё dhe hesht. Kёsaj here edhe atij i duken tё tepёrta planet, qё, pёr çudinё e njё lindoreje si unё, kёta perёndimorёt i thurin si merimanga jetёgjata.
Rrugёt janё tё shkreta, arna- arna tё shkreta. A-ja tjetёr mё sjell lajme nga ato tё pakta qoshёza qё vazhdojnё tё jetojnё me droje. Njerёzit s’pipёtijnё, supermarketet, pas dyndjes sё njerёzve si nё ditё tё fundit, janё kthyer nё magazina boshe e tё shёmtuara, ziejnё burgjet nga protestat e kryengritjet. “Kaosi thёrret ende si nё shpellat primitive”, mendoj. A-ja tjetёr vazhdon e tregon duke ngritur njё ton zёrin, por kur arrin nga fundi, zbёrthehet e pafuqishme nё karrige. Parukieria e ka mbyllur dhe s’hapet pёr kushedi sa kohё. Koha e virusit i ka nxjerё thinjat nё pah dhe kjo s’ёshtё e denjё pёr njё kohё paqeje. “Mos u mёrzit”, i them, “ka edhe njё kohё tjetёr mё tё ndyrё: ёshtё koha e luftёs”.
Bie zilja e telefonit. Mikesha R., mё flet me njё ton tё nxituar. Zakonisht ёshtё e shtruar dhe ka buzёqeshjen e atij njeriut qё nёpёr reklama tё pёrplas surratit pastёn mё tё fundit tё dhёmbёve. Duket sikur bёn buletinin e luftёs: me mijёra tё infektuar nё ditё, me qindra tё vdekur nё ditё, njё popull i ngujuar. Dhe ja ku dalin nga e kaluara e tё gjithёve, shtresa- shtresa, vitet e tkurrura tё jetёs tёnde, jetёs time.
Ёshtё viti ’97 pёr Italinё dhe italianёt. Njё panoramё surreale po zёvendёson jetёn reale. Si nё njё film fantastiko-shkencor ku raca njerёzore ёshtё e rrezikuar tё zhduket, qytetet e begata tё Italisё po bien njё nga njё nga koronavirusi e po kthehen nё fantazma. Jeta ka ndalur dhe asgjё nuk lёviz, e pёrditshmja trashet palё- palё si gjuhё lope.
Rrugёt e Romёs janё bёrё tё frikshme. Rrugёt e Romёs janё tё zbrazura. Rrugёt e Romёs, kёto ditё, tё duken tё gjitha njёsoj: mё kot me shkёlqim, mё kot me diell, pa identitet, pa ngrohtёsi. Koloseu ёshtё bёrё simbol i njё qyteti tё sёmurё. Panteoni nuk thith mё njerёz e dritё. Sheshet erёmira tё Italisё, vendit tё bukur dhe ideal pёr turistёt, duket sikur janё zhveshur lakuriq dhe kanё nxjerrё brinjёt e nga brinjёt u kanё shkulur me forcё njerёzit, jetёn. Piazza del Popolo pёr herё tё parё ёshtё pa popull dhe obelisku egjiptian nё qendёr tё sheshit, duket mё i lartё, kobzi e me njё gjuhё tё çuditshme qё i flet njё zoti tё largёt. Ёshtё koha e luleve nё Piazza di Spagna. Por shkallёt mё tё famshme nё botё, shkallёt e kёtij sheshi tёrё salltanet, i bёjnё sehir tё heshtura njё Bernini qё flet me vete dhe rrjedh butё si ujё i ngeshёm. Bosh Campo de’ Fiori. Bosh. Bosh. Turra e druve tё Giordano Bruno-s, djeg, pёrvёlon, ngjall panik dhe njerёzia ndihet sёrish e paditur, si nё mesjetё, teksa pret me padurim tё mbarojё ky makth. Roma e çezmave tё shumta dhe njёmijё e njё shatёrvaneve, ngjall kujtime. Gurgullima e Fontana di Trevi-t, poezia e arkitekturёs baroke, ndihet e mekёt, kёshtu, e lёnё mёnjanё nga miklimet e qindra- mijёra njerёve qё e vizitojnё nё ditё. “Marcello, come here (eja, kёtu)!”, mё bёjnё veshёt. Eh, kushedi se kur…! Duket sikur ka kaluar njё shekull. Mastroianni rri e pret.
Via del Corso, nuk mbledh mё njerёzit pёr tё bёrё shooping. Dje, pardje, apo dikur, u pa njё papё tё bёnte pelegrinazh mu nё qendёr tё Romёs. Ecte si njё qytetar i thjeshtё, si rrallё herё, turma njerёzish nuk e rrethonin. Historia e papatit do ta shёnojё edhe kёtё ngjarje tё çuditshme nё analet e saj.
Shkollat, çerdhet, kopshtet, universitetet, dyqanet, institucionet, qendrat tregtare, pub-et, diskotekat, restorantet, kafenetё, aeroportet, trenat, autobusёt, kinematё, teatrot, muzetё, teatrot e operas, parqet, pishinat, palestrat, dmth., çdo segment i njё jete normale, ёshtё ndalur, çdo gjё ёshtё paralizuar si nё kohё zie. Mbeten hapur vetёm spitalet, farmacitё dhe dyqanet e bukёs. Ekonomia po shpartallohet, lulёzon industria e vijave tё para tё frontit.
Pas 75 vjetёsh paqeje e pёrparimi, Europa Perёndimore mbyll kufijtё, secili shtet tёrhiqet sёrish nё zhguallin e vet. Shfaqen frikshёm: ushtri, policё, patrulla, postoblloqe, duar tё hekurta shtetesh tё hekurta dhe lirija jote si individ varet sёrish nga njё copё lejekalimi. Ka plasur njё pandemi denoncimesh, njerёzit nxitojnё tё ngujohen. Mendoj e shqetёsuar se nuk ёshtё parё ndonjёherё nё historinё e njerёzimit njё ngujim i tillё masiv qё tё pёrfshijё mbi njёqind e pesёdhjetё vende anembanё globit. Bota ёshtё kthyer nё njё kullё tё stёrmadhe ngujimi dhe pret me ngut gjaksin. Virusi pёrhapet mё shpejt se mendimi nё kohё tё trazuara dhe kёtё “mik tё paftuar” e kemi brenda nё shtёpi, pa kuptuar se si e kapёrceu pragun e derёs. Mё duket si njё krimb i pёrzishёm qё futet nga e njёjta e çarё nga ku u fut, pak mё parё, drita e diellit. Deri dje kemi dёgjuar vagёllimthi pёr ankthin e tё tjerёve, sot, ankthi ynё na shtrёngon mendjen si oktapod i kudondodhur .
Nё kullёn e ngujimit nuk numёrohen mё ditёt. Çdo ditё ka njё frymёmarrje ndryshe. Merret frymё kur njerёzit shёrohen, ekzaltohesh kur mjekёt luftojnё si nё llogore pёr tё shpёtuar jetё, jetё, jetё. Sigurohemi, humanizmi ka ende kuptim.
Po shpiket njё tjetёr mёnyrё jetese. Kёndohet dhe jetohet nёpёr ballkone shtёpish, nёpёr tarraca pallatesh. Triumfon himni i Mamelli-t. Italianёt zbulojnё si nё ditё lufte qё janё njё kombi vetёm e i bashkuar dhe vihen nё kёrkim tё patriotizmit tё harruar, tё veteranёve tё moçёm. Duket sikur nuk ka kaluar dhe aq shumё kohё nga Lufta e Dytё Botёrore, ku armiku kishte njё emёr, njё ngjyrё, njё trup.
Tё gjithё zbulojmё se ia kemi nevojёn njёri- tjetrit edhe nё njё botё tjetёr, atё virtualen. Kjo jetё e re virtuale dhe vertikale duket se ёshtё shpresё dhe ushqim pёr nerva të tendosura nё kёto ditё tё rёnda izolimi. Kёndoj, pra ekzistoj. Lexoj, pra, mbijetoj. Unё qё vij nga Shqipёria, e njoh kёtё peshё vetmie. Pёr ne, shqiptarёt, s’ёshtё e re pasiguria pёr tё nesёrmen qё ngushton dhe shtyp si mur. Mungesa e lirisё sё madhe, tjetёrson liritё e vogla tё sё pёrditshmes, edhe kёtu, si 23 vjet mё parё nё vendin tonё, nё vitet e kobshme, kur frikёn e ngrohnim nёn batanije dhe e lanim me ujё tё ndenjur…
Thonё qё trishtimi rrёzon njeriun nga majat e pёrsosmёrisё. Pёr ne pёrsosmёria ishte para tri javёsh, dmth dje, kur me kapele qesharake nё kokё, pritёm e puthёm miq e tё afёrm nё shtёpinё tonё qё gumёzhinte nga njё festё e gёzueshme. Ishim tё lumtur e tёshkujdesur, sikur tё ndiheshim tё pёrjetshёm.
Ndёrsa trishtimi ёshtё sot, kur kupton se mё e shtrenjtё se liria jote e shtrenjtё, ёshtё vetё jeta… o vdekatar!
*Autorja jeton dhe punon në Romë, Itali.