Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se që nga sot urgjencat kirurgjikale do të realizohen në Spitalin Universitar të Traumës.
“Nga sot urgjenca kirurgjikale ka filluar të realizohet në Spitalin Universitar të Traumës. Është një vendim që është marrë së bashku me komitetin teknik dhe me drejtuesit e burimeve njerëzore, gjithmonë për të mundësuar lehtësimin e spitaleve tona, QSUT dhe spitalit “Shefqet Ndroqi” dhe vendosjen e të gjithë urgjencave të kirurgjisë por edhe atyre të patologjive malinje, për t’u realizuar në Spitalin Universitar të Traumës”, tha Manastirliu.
Kjo masë është marrë për të kufizuar përhapjen e COVID-19, për të ruajtur qytetarët dhe stafet mjekësore dhe për të krijuar korridoret e nevojshme sanitare në spitalet ku do të trajtohen rastet me COVID-19. Gjatë inspektimit të masave të marra tek Spitali Universitar i Traumës, Manastirliu njoftoi që kanë filluar përgatitjet për hapjen e spitalit të dytë COVID, i cili do të jetë Spitali Univesitar “Shefqet Ndroqi”.
“Jemi duke u përgatitur për hapjen e spitalit të dytë COVID, “Shefqet Ndroqi”, ku po bëhet një organizim i mirëfilltë përsa i përket kapaciteteve që do të shtohen aty me burime njerëzore dhe gjithashtu gjithë organizimit për t’i bërë ballë këtij infeksioni”, bëri të ditur ministrja. Manastirliu ka falenderuar mjekët për punën që ata po bëjnë për përballimin e situatës. “Kam nje falenderim të përzemërt për punën heroike që po bëjnë të gjithë mjekët dhe infermierët tanë kudo në Shqipëri, por veçanërisht në Spitalin Infektiv ku po trajtohen pacientët me COVID-19”, tha Manastirliu. Aktualisht ka nisur trajnimi i mjekëve, infermierëve, farmacistëve, ekspertëve të shëndetit publik dhe studentëve të Mjekësisë që i janë përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për t’ju bashkuar frontit të parë të luftës me COVID-19.