“Po rrisim kapacitetet për testime për COVID-19, për kryerjen e testeve edhe në laboratorin e QSUT si dhe kemi në konsideratë çdo risi sa i takon testimeve”. Në një intervistë për ABC News, Ministrja Manastirliu deklaroi se do të vlerësohet edhe blerja e testeve të shpejta.

“Testimet e shpejta janë në konsideratë nga ana e komitetit teknik të eksperteve dhe me validimin e tyre nga OBSH, këto teste do të jenë të mundura edhe në vendin tonë, nëse do të jetë e nevojshme. Jemi në tentativë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të rritur gamën e testeve, por edhe për teste te shpejta. Sapo të kemi një validim të testeve të shpetja nga OBSH, do të kemi edhe blerjet e tyre”, tha Manastiliu.
Përsa i përket ngritjes së çadrave të tirazhit në QSUT dhe në spitalin e Traumës, ministrja Manastirliu u shpreh se ato do të shërbejnë për të bërë tirazhimin e pacientëve me qëllim mbrojtjen e stafeve mjekesore.

“Kemi vendosur ngritjen e çadrave të triazhit mjekësor, përpara Urgjencës së QSUT dhe përpara Urgjencës së Spitalit të Traumës. Aktualisht po përfundon trajnimi i ekipeve që do të vendosen në shërbimet e triazhit në çadra, ku do të bëhet filtri për pacientët që paraqiten në këto shërbime, nëse janë të dyshuar për COVID”, bëri me dije Manastirliu.