Ka përfunduar takimi në Shtëpinë e Bardhë midis presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ka qenë vetë Thaçi që ka folur rreth këtij takimi nëpërmjet një postimi në Facebook. Ai tha se takimi ishte zhvilluar me ftesë të Richard Grenell, i cili është i dërguari i SHBA për zhvillimin e dialogut ndërmjet dy vendeve. Thaçi deklaroi se duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.

”Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump. Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë! HTH”